Profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Sulo Hadëri, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në arsimin e lartë dhe në fushën e ekonomisë shqiptare.
Gjatë një karriere që shtrihet në më shumë se katër dekada, Profesor Hadëri la një gjurmë të thellë në sektorin akademik dhe financiar të Shqipërisë.
Ai u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë, në degën Ekonomi Politike, në vitin 1979. Karrierën akademike e nisi në tetor të vitit 1981, si asistent pedagog në të njëjtin fakultet. Në vitin 1993 mori gradën Doktor i Shkencave Ekonomike, një vit më pas titullin Profesor i Asociuar dhe në vitin 1999 titullin Profesor.
Gjatë karrierës së tij në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri mbajti disa prej funksioneve drejtuese më të rëndësishme në Fakultetin Ekonomik. Ai ishte dekan në periudhën 2012-2016, ndërsa më herët kishte shërbyer si zëvendësdekan nga viti 2008 deri në vitin 2012. Gjithashtu, drejtoi Departamentin e Ekonomiksit gjatë viteve 2003-2008 dhe Seksionin e Makroekonomisë në periudhën 1999-2002.
Përveç angazhimit akademik, Hadëri pati një rol të rëndësishëm edhe në institucionet ekonomike dhe financiare të vendit. Ai ishte anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nga viti 1999 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i Ministrit të Financave gjatë periudhës 1997-1999. Ka qenë gjithashtu anëtar i bordeve dhe strukturave të ndryshme publike, përfshirë Albcontrol dhe Bordin e Akreditimit.
Kontributi i tij shtrihej edhe përtej Shqipërisë. Ai ishte profesor i ftuar në disa universitete në rajon, mes tyre Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, si dhe në universitete të tjera në vend.
Komente
Komento