SHBA - Kampionët në fuqi të botës, Argjentina, kanë mbërritur në Kansas City, Missouri, ku do të zhvillojnë fazën përgatitore për mbrojtjen e titullit të fituar në Botërorin e vitit 2022.
Delegacioni argjentinas zbarkoi në tokën amerikane të dielën, pas një udhëtimi prej 11 orësh nga Buenos Aires. Skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni do ta nisë aventurën më 16 qershor, kur do të përballet me Algjerinë në stadiumin 'Arrowhead'.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe avioni charter me të cilin udhëtuan futbollistët dhe stafi teknik. Avioni kishte një dizajn special kushtuar historisë së Argjentinës në Kupat e Botës, ndërsa në bishtin e tij spikaste numri 10 i kapitenit Lionel Messi (dhe legjendës Maradona). Një detaj simbolik ishte edhe numri i fluturimit të kompanisë Aerolíneas, 1978, në nder të triumfit të parë botëror të Argjentinës në vitin 1978, kur 'Albicelestet' mposhtën Holandën në finale para mbi 71 mijë tifozëve në stadiumin 'Monumental' në Buenos Aires.
Argjentina është skuadra e parë nga katër përfaqësueset që do të vendosen në zonën metropolitane të Kansas Cityt. Gjatë ditëve në vijim pritet të mbërrijnë edhe Anglia, Holanda dhe Algjeria.
Para nisjes së garës, kampionët e botës do të zhvillojnë edhe dy ndeshje miqësore, përballë Hondurasit dhe Islandës, në kuadër të përgatitjeve finale për turneun. Argjentina e ka fituar tre herë Kupën e Botës, në vitin 1978, 1986 dhe në vitin 2022.
Komente








