Kroacia i është bashkuar Anglisë dhe Francës si tre skuadrat që kanë siguruar deri më tani një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut. Gjithashtu, ndeshjet e të premtes kanë dhënë edhe disa verdikte të tjera. Veç Shqipërisë, një vend të sigurt në fazën play-off e kanë siguruar edhe Çekia, Irlanda e Veriut dhe Suedia.

Në stadiumin e Rijekas, Kroacia përmbysi 3-1 Ishujt Faroe duke marrë zyrtarisht një biletë për finalet e Kupës së Botës. Vendasit u shokuan nga goli i Turi Geza në minutën e 16-të, për avantazhin momental të ekipit ishullor. Vetëm shtatë minuta më vonë mbrojtësi Gvardiol barazoi shifrat, ndërsa pjesa e parë u mbyll 1-1. Me tjetër marsh u fut në fushë Kroacia e Zlatko Dalic në fraksionin e dytë, teksa gjeti edhe dy herë të tjera golat me Musa dhe Vlasic për të marrë tri pikë me shumë vlerë.  Më i miri i ndeshjes u shpall Perisic me notën 8.4, ndërsa Luka Modric luajti 62 minuta. Për Modric, finalet e Kupës së Botës me Kroacinë do jenë të pestat e një karriere fantastike.

Luksemburg, mes 9 mijë tifozëve, vendasit u mposhtën vetëm 0-2 nga Gjermania. Dopieta e sulmuesit Woltemade në minutat 49 dhe 69 i dhanë tri pikë "Panzerave", që mbajnë kreun e Grupit A me 12 pikë, kuotë e njëjtë sa Sllovakia.

Në Varshavë, Polonia vendase barazoi 1-1 kundër Holandës. Polakët kaluan në epërsi në minutën e 43-të me një gol "për kornizë". Veterani Lewandowski dhuroi një pasim fenomenal nga mesi i fushës për Kaminskin, i cili nuk fali përballë Verburggen dhe ia la topin mes këmbëve. Në pjesën e dytë Depay barazoi për Holandën. Me 17 pikë "Tulipanët" mbajnë vendin e parë në Grupin G, por ende matematikisht nuk e kanë siguruar vendin në fazën finale të Kupës së Botës. Polonia me 14 pikë mban vendin e dytë. Pas dy ditësh Holanda pret Lituaninë, ndërsa Polonia udhëton në Maltë. Pas këtyre ndeshjeve do mësohen edhe fatet e këtij grupi, me dy skuadrat që minimumin e play-off e kanë 'në xhep'.

Në ndeshjet e tjera, bie në sy fitorja e Maltës 0-1 në Finlandë, apo tri pikët e Sllovakisë kundër Irlandës së Veriut, e cila e ka siguruar play-off nga Liga e Kombeve.

Kupa e Botës 2026, ndeshjet kualifikuese - zona UEFA:

E premte, 14 nëntor 2025

Grupi A

Luksemburg 0-2 Gjermani

Sllovaki 1-0 Irlanda e Veriut

Grupi G

Finlandë 0-1 Maltë

Poloni 1-1 Holandë

Grupi L

Kroaci 3-1 Ishujt Faroe

Gjibraltar 1-2 Mali i Zi