Gjermania do të zbresë sonte në fushë e relaksuar, pasi ka siguruar vendin e parë në grupin E. Në ndeshjen e fundit të grupit në orën 22:00, ‘panzerat’ do të përballen me Ekuadorin që kërkon fitoren për të shpresuar te kualifikimi. Amerikano-latinët kanë vetëm 1 pikë dhe çdo rezultat tjetër do ta pamundësonte objektivin, ndërsa në të njëjtën orë në fushë do të luhet edhe Kurasao-Bregu i Fildishtë.

Fitorja për secilën nga përfaqësueset do të thoshte kualifikim edhe pse Kurasao ka vetëm 1 pikë, ndërsa Bregu i Fildishtë ka 3 në vendin e dytë. Megjithatë afrikanët e shohin përballjen kundër Kurasaos si një mundësi të artë për 3 pikët dhe për të mos rrezikuar si vend i tretë.

Në orën 01:00 të mëngjesit në fushë do të jetë Holanda që do të kërkojë përballë Tunizë së eliminuar të mbrojë vendin e parë në grupin F. ‘Tulipanët’ aktualisht kanë 4 pikë, njëjtë si Japonia që po në të njëjtën orë do të përballet me Suedinë që ka 3 pikë. Ky duel pritet të jetë shumë i zjarrtë pasi përcakton në rastin më të keq vendin e dytë, por matematikisht lufton edhe për të parin. Në grupin F vendi i parë ka shumë rëndësi, pasi kush renditet i dyti në 1/16 do të ketë përballë Brazilin.

Grupi D do të luajë ndeshjet e fundit në orën 04:00 të mëngjesit, teksa SHBA-të të kualifikuara si vendi i parë përballen me Turqinë e eliminuar. E gjithë vëmendja do të jetë te dueli tjetër mes Australisë dhe Paraguajit, pasi të dyja kanë nga 3 pikë. Aktualisht vendin e dytë e mban Australia me golavarazh më të mirë, ndërsa një barazim ka gjasa ti kualifikojë të dy kombëtaret.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.