Nënshkrimi i shtyrjes së kredive bankare për 3 muajt e ardhshëm mes kryeministrit Rama dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është vlerësuar pozitivisht nga Enno Bozdo, duke thënë se kjo ishte një nga pikat e propozuar nga Lulzim Basha.

Bozdo shtoi se Rama kapërceu kompleksitetin e tij dhe provoi se mund të pranojë propozimet e kryedemokratit.

Bozdo tha se ky është një lajm shumë i mirë për bizneset dhe ekonominë në këto çaste vërtet shumë të vështira që po kalojmë, ndërsa theksoi se kjo masë duhet të shoqërohet urgjentisht edhe me 6 të tjera e propozuara nga PD që prej dy javësh.

Statusi i Enno Bozdos

‘Me propozim të Lulzim Bashës dhe me dakordësinë e Governatorit, më në fund po mundësohet shtyrja e detyrimeve te kredive bankare për një periudhë tre mujore. Edi Rama vendosi t`i bashkëngjitej propozimit të Lulzim Bashës në çastin e fundit, pasi vetëm 24 orë më parë e kishte cilësuar këtë propozimin si “maskaradë”.  Gjithsesi, fakti që Rama mundi të kapërcejë me sukses mbi kompleksin tij ndaj Lulzim Bashës, meriton të vlerësohet pozitivisht.

Shpresojmë gjithashtu që Guvernatori t'i shkojë deri në fund kësaj mase duke mos u bërë palë e lojës politike.

Ky është një lajm shumë i mirë për bizneset dhe ekonominë në këto çaste vërtet shumë të vështira që po kalojmë. Është një masë që e kanë zbatuar dhe po e zbatojnë sot të gjitha vendet e BE-së të prekura nga epidemia.

Por të mos harrojmë: në mënyrë që të bëjë efektin e duhur, kjo masë e vlerësueshme duhet të shoqërohet edhe me masat e tjera që kryetari i opozitës ka kërkuar që prej dy javësh. Janë të paktën gjashtë prej tyre të cilat duhet të implementohen urgjentisht. Vetëm kështu, me masat e kombinuara, do të kemi mundësi të ndihmojmë maksimalisht bizneset, punonjësit dhe ekonominë.

Edi Rama sot dha provën e parë që është i aftë t`i tejkalojë komplekset e tij dhe të pranojë propozimet e opozitës. Këtë ushtrim duhet ta bëjë me të gjitha propozimet e tjera të opozitës, me të njëjtin zell që shpall ndalimqarkullimin për qytetarët dhe gjobat që ata do të pësojnë në rast mosbindjeje! Shpresojmë që ai do t`ia dalë!