TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka vërejtur se "Skema e rimbursimit të TVSH, e materializuar e gjitha në Drejtorinë e Tatimeve, ishte një supergrabitje”.

Sipas tij, “Berisha, Bode, Rushaj, të gjithë drejtorët e tatimeve bashkë janë pjesë e skemës, ndaj heshtin! Grabitja po arrin tek 100 milionë dollarë”.

Braçe i ka bërë këto deklarata në faqen e tij në Facebook, ku ka theksuar edhe se “Çdo zbulim po shkon drejt prokurorisë. Një pjesë e grabitësve po arrestohen, një pjesë po ikin, arratisen”.
 
“BERISHA, BOSI MË I MADH. DREJTORIA E TATIMEVE , DOMEN I TIJ”
 “Deri tani, pavarësisht shifrave të mëdha, kërkush nuk është dënuar. Por këta janë "klientët"! Mua më interesojnë "bosët". Berisha është më i madhi! Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ishte domen i tij, direkt i tij”, ka shkruar Braçe.

“E keni parë? Flet për atë shefin e IT por kurrë për skemën e grabitjes përmes rimbursimit të TVSH. Madje dhe vetë drejtori i IT nuk flet për këtë. Nuk shpjegon dot se si sistemi që ai menaxhonte ishte lehtësisht i aksesueshëm për këtë skemë mashtrimi; fjala bie për të hedhur në të, brenda një dite, faturat e 10 viteve bashkë. Të pavërteta natyrisht.

Sali Berisha, ish-kryeministri që bërtet përditë për grabitjet me maska, hesht për grabitjet pa maska ndodhur në e përmes zyrave të tij. Duhet ta bëjmë të flasë!”, përfundon Braçe.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)