TIRANË – Erion Braçe, deputeti socialist i qarkut të Fierit, me katër pika të shkutra, ka bërë të qartë mendimin e tij sesa ndryshe duhet të jetë një ministër i PS-së nga ata të "Doktorit të mundur" e mbi të gjitha, sa punëbërës duhet të jetë ai dhe ambiciepak.  
 
Shënimin e tij në profilin zyrtar në Fb, Braçe e ka nisur me “nuk do të kisha thënë kurrë se jam gati të le mandatin e deputetit për një post ministri! Sidomos kur nuk ta kërkon apo ngarkon kush! Në publik jo e jo, por as kudo gjetkë.”

Dhe më tej, Braçe sqaron gjykimin e tij: “E para, të jesh deputet në Kuvendin e Shqipërisë është vërtetë shumë, nuk ështe pak,  nuk është xhaketë e ngushtë pra, në zhargonin vetmburrës të disave.

E dyta,  të jesh minister në Qeverinë e Shqipërisë është akoma dhe më shumë, veçuar këtu qeverinë personale e të korruptuar të "sb" - Doktorit të mundur.

Të qënit anëtar i Qeverisë së re duhet të ndryshojë qartësisht katër gjëra:

E para, rikthimin e përfaqësimit të interesave të shqiptarëve, tejkalimin e interesave të një familjeje, grupi, klani, organizatë për të përfshirë interesat më të gjera kombëtare.

E dyta, riformatimin e profilit të anëtarit të Qeverisë, tejkalimin e çdo modeli të mëparshëm në formim, dije, ekspertizë profesionale. Troç, anëtari i Qeverise së "sb" nuk mund të shërbejë si model standard.
 
E treta, roli i anëtarit të Qeverisë. Anetari në këtë qeveri nuk duhet të jetë më, pushtetari fuqiplotë, por nëpunesi politik e i përulur i Qeverisë; drejtuesi, por edhe punëbërësi.

E katërta, marrëdhënia me pushtetet e tjera, ndarja e qartë mes pushteteve duke përmbushur qartësisht frymën e Kushtetutes;  kasta me dy apo disa karrige ose me një karrige dhe me oborr të pasëm në hapesirën e kujtdo pushteti tjetër ku tërhiqet për të gjetur rehat sa herë të dojë duhet të jetë kultura e luftuar më në fund në këtë vend.

Kështu kemi rënë dakord që para zgjedhjeve e me modesti them se shqiptaret presin nga qeveria këtë. Struktura e Qeverisë që Rama prezantoi dje si një "strukturë pune" është hapi i parë i mirë,”- përfundon Braçe.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)