TIRANE - Deputeti socialist Erion Braçe ka sulmuar dje në FB guvernatorin Ardian Fullani, i cili, sipas tij, e ka “zgjidhur gjuhën” kundër kryeministrit në largim, Sali Berisha, sepse ka frikë për ato që ka bërë.

Braçe i referohet një raporti, i cili tregon shkelje skandaloze të kreut të BSH, duke përfshirë financim direkt të qeverisë Berisha përtej nivelit 5% të të ardhurave vjetore të qeverisë; prishje të kalendarit të tregtimit të bonove të thesarit; prokurime në shkelje të rregullores së Bankës së Shqipërisë; pagesa marramendëse për qira të ambienteve; rroga marramendëse të guvernatorit; dieta gjigande jashtë shtetit, etj.

Po dje, Braçe ka bërë publik faktin se punonjësit e administratës kanë mbetur pa rroga për herë të parë pas 4 vitesh. Ai ka kërkuar që kryeministri në detyrë të japë llogari se çfarë u ka ndodhur financave të shtetit që nuk po paguajnë rrogat.

Sipas tij, mungesa e parave ka prekur edhe kategorinë e pensionistëve, duke i lënë pa marrë atë shumë modeste të çdo fundmuaji. Braçe ka ironizuar kryeministrin, duke thënë: "Çfarë rrogash e pensionesh rrite, kur s'i paguan dot?! Si ka mundësi që qeveria, e cila ka siguruar rritjen e dytë ekonomike më të madhe në Europë, nuk i paguan dot rrogat e pensionet në kohë?!”

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)