TIRANË - Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar sërish sot në Facebook. Dje kundër Lulzim Bashës, sot me kritika të rënda ndaj kryeministrit në ikje, Sali Berisha, i cili sipas Braçes "po bën krim me financat publike!".

"Sali Berisha po bën krim me financat publike. Më shqip: Po bën krim me arkën e shtetit të shqiptarëve! Nuk po arkëton në të, po shpenzon gjithnjë e më shumë prej saj! Mungojnë shumë para!", nis komentin e tij Braçe, i njohur për kritika tepër të ashpra ndaj keqpërdorimeve financiare të qeverisë Berisha. Ai ka theksuar se arkës së shtetit i mungojnë mbi 170 milionë dollarë arkëtime.

"Shikoni, e kam thënë edhe diku tjetër këtë fakt: Në qershor 2005, ne muajin e fushates, plani i arkëtimit të të ardhurave ishte realizuar 103%. Në qershor 2013, në muajin e fushates, plani i arkëtimit të të ardhurave është realizuar nën 78%. Mungojnë mbi 170 milionë dollarë!", shpjegon Braçe.

Ai më tej ai gjithë këtë situatë e quan "krim": "Ky është dallimi! Poooor; Kjo është diferenca që dëshmon krimin me financat publike! Po po, është krim të mos arkëtosh detyrimet ligjore financiare! Drejtorët e Berishës, po e përsëris, të Berishës i ka emëruar ai personalisht; po konsumojnë krim!!", thotë Braçe.

Braçe ka paralajmëruar se "të gjitha këto miliona që nuk po arkëtohen po i përfiton klientela politike e kësaj qeverie, por gjithkush duhet të dijë se detyrimet tatimore të paguara nuk fshihen, as falen, do arkëtohen me çdo kusht!".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)