Braçe: Nëse s'kalon reforma në 
drejtësi referendum ose në zgjedhje

Braçe: Nëse s'kalon reforma në <br />drejtësi referendum ose në zgjedhje
Deputeti socialist, Erion Braçe, shprehet se nëse dështon në Kuvend reforma në drejtësi, atëherë zgjidhje mbetet referendumi ose zgjedhjet e parakohshme. I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Braçe tha se reforma do të hidhet në votim seancën e 21 korrikut.

Ligjvënësi socialist theksoi se Kuvendi duhet të shpërndahet në momentin që nuk arrin të miratojë draftin kushtetues të reformës në drejtësi.

"Nëse nuk miratohet reforma, parlamenti duhet t’i japë mundësi popullit që të vendosë mbi ndryshimet kushtetuese. Ata duhet të zgjedhin mes opsionit të Berishës dhe Bashës që vettingu të zgjidhet nga një grup njerëzish që nuk monitorohet nga askush dhe zgjidhja jonë është që të monitorohet nga ndërkombëtarët. Për mua, nëse Kuvendi nuk arrin të votojë reformën në drejtësi duhet t'i japë mundësi popullit me referendum. Nëse nuk e bën as këtë gjë, më mirë të shpërndahet", u shpreh Braçe.
 
Ai theksoi se Kuvendi duhet të kryejë votim nominal dhe të hapur seancën e 21 korrikut. "I kam kërkuar të votojmë me votë nominale, që shqiptarët të kuptojnë se kush është pro dhe kundër kësaj reforme", tha ai.
 
Deputeti socialist, foli dhe grabitjen në aeroportin e Rinasit. Ai e cilësoi të dështuar privatizimin e aeroportit, ndërsa theksoi se mbetet sërish partizan i zgjidhjes së kontratës me koncesionarin e TIA-s. 

"Në mënyrën sesi po menaxhohet aeroporti i Rinasit edhe në planin e shërbimit publik kundrejt qytetarëve, kam parasysh kostot, edhe shërbimin atje brenda, natyrisht siç isha partizan para shumë vitesh për prishjen e kontratës, ashtu jam partizan edhe tani. Një shërbim publik që ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare, është shumë herë më i mirë se një shërbim i dështuar privat. Ka një eufori të madhe që sa më shumë të lëshosh shërbime tek privati aq më shumë përmirëson. Këto aq më shumë kanë dështuar", u shpreh Braçe. 

Sipas tij, grabitja e 1 milionë eurove në 30 Qershor, është përgjegjësi e koncesionarit të aeroportit, pasi ngjarja ka ndodhur brenda perimetrit që kontrollon TIA. 
"Perimetri i koncesionit u thye se ishte lehtësisht i arritshëm nga çdo keqbërës. S'kam pse të vesh me përgjegjësi Ministrinë e Brendshme. Për parandalimin padyshim që Policia ka detyrën e saj. Është edhe SHISH në këtë mes e për të nuk thuhet asgjë. Me atë kontratë dhe mënyrën se si është ndarë përgjegjësia nuk kemi gjë në vijë", tha ai.

Z.Braçe, pse mblidheni sot në PS?
Sepse është bërë një ceremoni për të festuar për brezat që kanë qenë më përpara. Kemi bërë një tur që ka nisur me Fierin dhe më pastaj ka vazhduar në të gjithë vendin.
 
Duke qenë se keni qenë pjesë e PS që në vitet e para, trendi i të rinjve të asaj kohë ka qenë PD. Ju pse zgjodhët PS?
Sepse isha i majtë. Si i majtë kë të zgjidhja, Sali Berishën? Unë në atë periudhë kam pasur prindër, dhe ne e kemi pasur parasysh portretin e Sali Berishës. Prandaj zgjodha Partinë Socialiste.
 
Ju ndani të njëjtat mendime me librin që ka shkruar Servet Pëllumbit?
Nuk e kam lexuar librin akoma. Profesor Serveti ka një ditar që tregon për jetën e partisë socialiste. Edhe sot është dita për të kujtuar se kush ishte në atë periudhë Partia Socialiste dhe Sali Berisha që është po prapë para shqiptarëve. Ai i përndjek socialistët. Jeta e PS ka një dimension real, i prekshëm. Sali Berisha ka ushtruar një presion barbar në vitet '97. Ai i ka përndjekur duke i lënë pa punë, duke i burgosur.
 
Do të ketë surprizë në këtë festë? Do të jetë Fatos Nano?
Nano është në shtëpinë e vet. Ai ka kontributin e tij të jashtëzakonshëm në transformimin e Partisë Socialiste. Unë nuk mendoj për surpriza, ne kemi ftuar të gjithë kontribuuesit nga më të rëndësishmit deri te më të zakonshmit.
 
Zoti Kosta nuk është shumë i famshëm në PS por nxori një letër që ka prishur festën. Si e quani reagimin e tij një ditë përpara festës?
Unë kthej përgjigje për njerëz të jashtëzakonshëm ose të zakonshëm. Për njerëz që qëndrojnë në mes nuk kam një përgjigje. Unë nuk flas për njerëz që nuk flasin asnjëherë në foltoren e Parlamentit. Ata nuk kanë paraqitur asnjë ankesë në partinë socialiste. Ata nuk janë prezent për të votuar as në sallën e Kuvendit. E kam lexuar letrën që ju më referoni. Pjesa më e neveritshme është pjesa e parave. Unë kam qenë kundra futjes së biznesmenëve që futen në politikë nga hiçi dhe mendoj se ka ardhur koha që PS të rishikojë raportet me biznesmenët.
 
Z.Kosta njihet si mbështetës i ish deputetit Kokëdhima. A ka një sulm të Kokëdhimës ndaj Partisë Socialiste? Para disa kohësh Kokëdhima cilësohej si super deputeti?
Për mua një super deputet është një deputet që përmbush të gjitha detyrat e tij si deputet. Tek zotëria në fjalë nuk i kam parë të përmbushur asnjë detyrë. Ai ka folur në Parlament vetëm për replika. Për sa i përket sulmeve këtë nuk di ta them, sulmet unë i preferoj ballazi. Sulme pas perdes nuk i konsideroj fare. Në qoftë se ai ka diçka kundër Parisë Socialiste mund të vijë dhe t’i diskutojmë në Partinë Socialiste.
 
Kosta u largua vetë nga grupi por për deputeten Mira Shehu e cila edhe ajo ka shfaqur pakënaqësi a do të merret ndonjë vendim?
Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë nga zonja në fjalë për reformën në drejtësi. Nuk di të them, nuk merrem me këtë pjesë.
 
Kryeministri duket se s'po i bën mirë llogaritë, 4 deputetë nga grupi juaj nuk janë pro qeverisë. A është një problem për PS dhe qeverinë?
Kur qeveris sigurisht që ka të meta dhe gabime. E rëndësishme është që të metat dhe gabimet të mund të rregullohen. Çdo kritike e faktuar e dokumentuar duhet të merret në konsideratë dhe të korrigjohet.
 
Unë po pyes për numra z.Braçe? Ju keni arritur tek 60 deputetë?
Duhet të pyesni Ramën për këtë punë.
 
Si janë marrëdhëniet me LSI?
Institucionale siç kanë qenë më parë.
 
Po sulmet që LSI ka ndaj jush?
Jemi mësuar me sulme, dhe sigurisht që kur janë kritika për të mirën e vendit duhen marrë në konsideratë.
 
Çështja e sigurisë në Rinas, është akuzuar ministri Tahiri?
Kur ka një kontratë që tregon se kujt i takon përgjegjësia, unë nuk kam sesi vesh me përgjegjësi Ministrin e Brendshëm. Ndërsa për sa i takon parandalimit sigurisht që përgjegjësia i takon policisë. Me atë kontratë dhe me mënyrën sesi është ndarë përgjegjësia, nuk kemi gjë në terezi.
 
Flasim pak për reformën në drejtësi, a është i mundshëm plani B, pra votimi i reformës në 21 korrik?
I kam kërkuar grupit parlamentar që të shkojmë deri me 21 korrik. I kam kërkuar të votojmë me votë nominale, që shqiptarët të kuptojnë se kush është pro dhe kundër kësaj reforme. Duhet të marrë fund ky sistem që është kapur nga politika. Kush është gjallë do jetë në sallë për të votuar,
 
Sa vota ka grupi juaj?
Sipas llogarive PS ka 65 vota për të votuar, mazhoranca ka 20 të tjera.
 
Ju pavarësisht unitetit të mazhorancës, ju prapë keni nevojë për PD-në?
Po kemi nevojë, por votat janë në Parlament. E rëndësishme është të kalohet reforma sepse të gjithë shqiptarët presin drejtësi. Çdo votë brenda mazhorancës është pro reformës.
 
Nëse opozita zgjedh duke mos shkuar në sallë të Kuvendit, ju do e shtyni votimin?
Kjo është çështje për diskutim, por unë jam për t’u votuar. Jemi në planin B dhe do e shohim në datën 21 në mesditë. Nese nuk miratohet reforma, parlamenti duhet t’i japë mundësi popullit që të vendosë mbi ndryshimet kushtetuese. Ata duhet të zgjedhin mes opsionit të Berishës dhe Bashës që vettingu të zgjidhet nga një grup njerëzish që nuk monitorohet nga askush dhe zgjidhja jonë është që të monitorohet nga ndërkombëtarët.
 
Nëse PD nuk do lëvizë me formulën hibride, ju a jeni përgatitur për një votë jo të PD?
Ne jemi përgatitur për një votë jo të Sali Berishës. S'mund të flas dot për të gjithë deputetët e PD. Ka midis atyre shumë deputetë të arsyeshëm, të cilët e kanë kuptuar qartë se cili është interesi publik e kombëtar në këtë mes. Unë di qartësisht që Sali Berisha nuk e do dhe e kundërshton këtë reformë. I dërguari i tij në krye të PD nuk ka lidership për t'i shkuar deri në fund reformës në drejtësi.
 
Po plani C i zgjedhjeve të parakohshme?
Për mua, nëse Kuvendi nuk arrin të votojë reformën në drejtësi duhet t'i japë mundësi popullit me referendum. Nëse nuk e bën as këtë gjë, më mirë të shpërndahet. Nëse klasa politike nuk arrin dot kompromisin e arsyeshëm për të votuar për këtë gjë, ne si mazhoranca kemi hequr dorë nga shumica jonë vendimmarrëse për të kontrolluar vettingun, ata që janë në opozitë duan ta kontrollojnë këtë proces dhe nuk pranojnë një zgjidhje që s'na jep as ne avantazh e as atyre. Përmes një operacion ndërkombëtar monitorimi që kryen procesin e vettingut. Ne që jemi në pushtet kemi hequr dorë, ata në opozitë duan ta kontrollojnë. Nëse reforma nuk do arrihej në parlament, ateherë paketa t'i shkojë shkojë popullit në referendum.
 
Po plani "D"? A rrezikon qeveria "Rama", ose më saktë përzënia e Ramës si Kryeministër me një shumicë tjetër në Kuvend?
Deri tani kemi folur për shumica që i ka votuar populli. Qeveri teknike? Pse? Ta harrojnë se mund të bëjnë qeveri që nuk e ka votuar populli.
 
Cili do të ishte mesazhi për PS-në në këtë 25 vjetor?
Të rikthehet tek tabani, populli, të pamundurit, nevojtarët. Duhet të rikthehet tek ata që përbëjnë pjesën dërrmuese të shoqërisë. Janë ata që kanë qenë suporti, themeli e natyrisht mbështetja kryesore e PSSH-së. Njerëzit e harruar janë njerëzit më të rrezikshëm në shoqëri. Janë njerëzit që i mungojnë shoqërisë për kontributin ekonomik dhe social. Duhet të nisë një fazë kontakti masiv për të dëgjuar e zgjidhur hallet e problemet e këtyre njerëzve. Duhet ë shkojmë poshtë tek shtresa më e fundit e shoqërisë shqiptare. Ata s'duhet të jenë të margjinalizuar dhe të harruar. Detyra jonë nuk nis as nga sipërmarrja e as ata që kanë të ardhura më shumë, por tek ata që kanë të ardhura të pakta. Kush ka harruar nga ka ardhur, duhet të rikthehet atje. Për një pjesë do të jetë shumë e vështirë. Një pjesë mund të jenë edhe ministra. E them publikisht edhe për ministrat por do të flasim një herë tjetër.


Redaksia Online
l.q-xh.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot