TIRANË, 21 Dhjetor/ATSH/.- Deputeti i Partisë Socialiste (PS), Erjon Braçe reagoi sot pas mbrëmjes Gala "Ballo Presidenciale Shqiptare", organizuar dy ditë më parë në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Bujar Nishani.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti Braçe dënon faktin që në këtë ballo ishte i ftuar ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ndodhet nën hetim për skandalin e vjedhjes së Bankës Qendrore.
"Edhe një herë për ballon pa maska të Presidentit të Republikës!! Nuk ka zë hiç për aktin shumë të rëndë të Kryetarit të Qeverisë së Drejtësisë që vendosi të ndajë Ballon e tij me një person nën hetim e që në më të shumtën e kohës refuzon të bashkëpunojë me drejtësinë", shkruan Braçe.
Më tej, deputeti socialist ironizon faktin se në këtë ballo ka rënë në sy prezenca e ish-kryeministrit Sali Berisha, si dhe e djalit e vajzës së tij.
"Por nuk arrij të kuptoj, si ka mundësi që Presidenti i Republikës fton e ndan ballon me ish-Presidentin e njëherësh ish-Kryeministrin Sali Berisha (e kuptueshme), por edhe me djalin dhe të renë e tij, me vajzën dhe dhëndrin e tij?? Ç'është kjo familje kaq e pasur që qenka në ballo për bamirësi?! Po si u bënë të pasur,
se këta nuk kanë trashëguar gjë përveç një kulle të rrënuar në Tropojë? Unë e di përgjigjen e Presidentit për një grusht biznesmenësh që ishin aty, por për këta a ka një përgjigje Presidenti? Apo mos do thotë se këta ishin ftuar për të marrë e përcjellë mesazhin e ndihmës për të vuajturit, meqë janë njerëz me ndikim në publik?!!!!! Në fund, ky Lulzim Basha do na flasë më për oligarkët dhe oligarkinë?! Mezi po e pres!!", vijon deputeti Braçe komentin e tij në FB. /a.s//m.m/