TIRANË -  Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur me shqetësim sot problemin e emigrantëve shqiptarë, të cilët këtë verë nuk mund t’i sjellin fëmijët në Shqipëri për shkak të problemit të toponimeve greke në pasaporta. Shqetësimin e tij ai e mbështet në atë që lexon përditë në media, trishtimin e gjyshërve në Shqipëri që presin të takohen me nipërit dhe fëmijët e tyre.  
 
Për këtë situatë, Braçe fajëson hapur qeverinë në profilin e tij zyrtar në Fb:
 
“S’kemi qeveri të negociojë e bëjë detyrën në shërbim të fëmijëve të këtij vendi.” Sipas tij, kryeministri doktor ose “heqimi kryeministër” ka humbur! Ai po le të kuptohet se me grekët nuk ka ç’të zgjidhë.” Dhe kjo ndodh sipas tij “kur grekët nuk e patën pikën e problemit për toponimet, muajin e zgjedhjeve; nuk u ndien as të fyer e as të cenuar në atë krenarinë e tyre nacionale, por për një muaj i pranuan toponimet e tyre të shkruara në shqip. Atëhere? “S’kemi qeveri të negociojë e bëjë detyrën në shërbim të fëmijëve të këtij vendi,”- thekson ai.
 
Problemi i toponimeve greke në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi është një problem që ka shqetësuar prej kohësh shqiptarët këtej dhe matanë kufirit; çështja u bë objekt protestash në Athinë, ndërsa në Tiranë pati vetëm një debat parlamentar, gjatë të cilit ministri i Brendshëm Noka, pak para nisjes së fushatës elektorale, premtoi se po përgatitet një draft marrëveshje me palën greke për këtë qëllim dhe këtë verë problemi do zgjidhet. Por, sikurse shihet, problemi u përsërit dhe negociatat e qeverisë shqiptare kanë qënë të vlefshme vetëm për 1-2 javë feste të Pashkëve apo zgjedhjeve elektorale.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)