TIRANË -  Prokuroria e Përgjithshme nuk merr përsipër të hetojë ministrin e Mbrojtjes Arben Imami dhe as trafikun e armëve nga Shqipëria, pavarësisht se faktet janë publikuar nga OKB-ja.

Denoncimin në Prokurori kundër Imamit dhe trafikut e ka bërë deputeti socialist Erion Braçe, i cili për herë të parë ka shprehur trishtim e “fare pak shpresë”. Duke komunikuar me mbështetësit e tij në Fb, Braçe shkruan për herë të parë me një gjuhë të tillë:

“I trishtuar dhe për herë të parë me fare pak shpresë. Shihni shkresën: në prill të këtij viti, ju drejtova Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, me kërkesën: Nisjen e hetimeve kryesisht lidhur me nje rrjet shtetëror të trafikut të armëve në thyerje të embargove të OKB-së.

Kërkesën për hetim kryesisht e shoqërova me raportin e panelit të inspektimit të OKB-së, një hetim i plotë mbi këtë trafik, hetim i shtrirë në disa shtete, përfshirë Shqipërinë ku rezultojnë të përfshirë ministria e Mbrojtjes, AKSHE, MEICO, Autoriteti i Aviacionit Civil, ANTA etj.”

Por, Prokuroria, e cila duket se e ka lënë në pritje për 5 muaj denoncimin, i ka kthyer përgjigje këto ditë, deputetit duke shtuar procedura të tjera si të nevojshme për të marrë përsipër hetimin.

“Pas 5 muajsh heshtje,”- shprehet Braçe, - “më vjen letra që shihni, ku dëshmohet se as ka nisur hetim, por kërkohet që raportin ta shqyrtojë njëherë Kuvendi. Pastaj, nëse Kuvendi e sheh të arsyeshme, t’ia çojë Prokurorit shoqëruar me kallëzim!

Pas kësaj, një pyetje kam: në cilin ligj shkruhet kjo? Ç’lidhje ka nisja e hetimit, kryesisht bazuar në fakte të OKB-së, me shqyrtimin nga Kuvendi?!”

Në fund, Braçe e mbyll shënimin e tij me konkluzionin: “Ja pse shpresa venitet në këtë vend; ja pse zyrtarët e lartë në këtë vend bëjnë çdo krim dhe nuk kanë frikë kurrë se do të përgjigjen!”
brace denoncimi
(Faksimile e përgjigjes së Prokurorisë drejtuar deputetit Erion Braçe)

Redaksia online
(Armanda Shtëmbari/Shqiptarja.com)