TIRANË – Deputeti socialist Erion Braçe ka akuzuar sot Qeverinë se i ka pakësuar shpenzimet për policinë "që punon" duke ia shtuar ato, Shërbimeve Qeveritare "të rehatit".

Duke komentuar vendimet e djeshme të Këshillit të Ministrave, Braçe thekson me ironi: “Atyre që punojnë, iu shkurtohen vaktet e ushqimit - atyre që kapardisen, iu shtohen shpenzimet e rehatit”.

Deputeti i Fierit shpjegon se” Qeveria më serioze dhe më transparente në Evropë por e mundur nga populli i saj ka vendosur dje: të reduktojë vaktet e ushqimit për punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe të Forcave Speciale të saj; të rrisë shpenzimet e Ministrisë së Brendshme me 35 mijë dollarë për rikonstruksionin e godinës së Gardës; të rrisë shpenzimet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare me 290 mijë dollarë të tjerë.”

Në përfundim, Braçe pyet dhe po vetë përgjigjet: “Ma shpjegon dot kush, logjikën e vendimarrjes? Atyre që punojnë, iu shkurtohen vaktet e ushqimit - atyre që kapardisen, iu shtohen shpenzimet e rehatit!”
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)