TIRANE -  Nga studio e A1 Report deputeti socialist Erjon Braçe akuzon qeverinë në ikje të kryeministrit Berisha se ka bërë "një batërdi me pronën shtetërore", dhe se për këtë ka nevojë për një hetim të hodhësishëm të institucioneve.
 
Braçe i kërkon Parlamentit të ri, i cili do të nisë punimet në shtator, të hetojë vendimet e marra nga legjislacioni i kaluar, por gjithashtu hetimet të nisin edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Gjithashtu i kërkon qeverisë socialiste t'i kthejë mbrapsht këto vendime.  

 “Është një batërdi e tërë që po ndodh me pronën dhe këto janë vetëm ato që dimë ne, por unë dyshoj se ka edhe vendime të tjera që janë dhënë me qera dhe janë shitur për 1 euro.
 Qeveria e re duhet t’i kthejë mbrapsh këto vendime për të ruajtur publikun dhe duhet të kthehen në ligjshmëri dhe të kthejmë pronën aty ku ishte dhe atij që i takoj. Parlamenti duhet të hetojë pasi parlamenti ka miratuar vendime.  Duhet të jetë KLSH-ja që duhet të hetojë. Duhet të jetë Prokuroria e Përgjithshme që duhet të hetojë pasi njerëzit duhet të marrin drejtësinë që po e kërkojnë prej 8 vitesh."- tha Braçe.
 
Në bisedën në studion e TV A1 REPORT me gazetarin Andi Kapxhiu, Braçe rendit si abuzive rastin e dhënies së godinës së konviktit të Gjuhëve të Huaja një institucioni arsimor privat, çështjen e ARMO-s,  Privatizimin e Portit të Durrësit, SHQUP, por dhe privatizimin e të gjitha objekteve turistike në gjirin e parë në Divjakë.

BRACE: DHENIA E KONVIKTIT TE GJUHEVE TE HUAJA, E PALOGJIKSHME 
Deputeti socialist Erjon Braçe e quan të paimagjinueshme dhe të palogjikshëm dhënien me qera të konviktit të Gjuhëve të Huaja një Institucioni arsimor privat, ndërkohë që i refuzohet dhënia e godinës, Universitetit të Tiranës.
 
Braçe thotë se një vendim i tillë jepet në një kohë kur Universiteti i Tiranës harxhon miliona euro për të ndërtuar një godinë të re dhe kur Njësia Bashkiake nr 2 vuan për një shkollë të mesme të re.

“Eshtë e paimagjinueshme se si Bashkia e Tiranës ka dhënë një miratim të tillë, pasi për METE s’kam ç’të them, pasi prej 8 vitesh këtë mentalitet ka. Vendimi i bashkisë është i palogjikshëm. Drejtuesi i vetë universitetit të Tiranës, ishte pjesë e një formacioni politik në këshillin Bashkiak të Tiranë. Universiteti i Tiranës paska hequr dorë nga kërkesa pasi janë plotësuar ambientet me ndërtimin e ri të korpusit. Por nuk kemi pse të ndërtojmë godina miliona euro kur kemi ndërtesa që mund të rikonstruktohen. Ky është Universiteti i vetëm në europë anti mjedis... Njësia bashkiake nr 2 vuan për një shkollë të re të mesme dhe nën akuzë vihet kryetari i bashkisë së Tiranës. "- tha Braçe.

Braçe thotë se sikur të ishte vetëm ky rast, reagimi nuk do të ishte kaq i madh, “por ky rast është në vazhdën e rasteve të tjera të kësaj qeverie të mundur me 1 milionë vota. Dhe kjo qeveri merr guximin që të marrë vendime.”

BRAÇE: "METE NEN AKUZE PER RISHTIJEN E ARMOS"
Braçe hedh akuza për qeverinë në ikje duke e akuzuar se ka kryer një mashtrim kombëtar dhe ndërkombëtar me shitjen e Albpetrolit.

“Koorporata më e madhe prodhuese në vend, Albpetrol nuk do të ekzistojë më në shtator dhe kjo sjell një problem social për më shumë se 3600 punonjës të kësaj ndërmarrjeje, e kjo për shkak të një vendimi të një qeverie të mundur të marrë 10-12 ditë më parë. 

METE është nën akuzë edhe për rishitjen e ARMO-s. Janë 240 milionë dollarë që në fillim të shtatorit duhej të ishin të investuara në ARMO. Ka ligje të miratuara që i jep qeverisë dorën për të vendosur penalitet ndaj kompanisë që nuk ekziston. Ministria duhej të kishte ruajtur interesin publik. Ministri duhej të kishte zbatuar rekomandimin e KLSH për një shumë prej 50 milionë dollarësh që ARMO-ja i ka borxh Albpetrolit. Nga ana tjetër është edhe mashtrimi kombëtar dhe ndërkombëtar në shitjen e Albpetrolit dhe kompania që dha ofertën nuk ka dhënë 85 milionë eurot e garancisë. “

"KOMPANITE MONOPOL PRIVATIZUAN  PORTIN E DURRESIT"
 Braçe akuzon qeverinë në ikje se i ka dhënë të gjithë terminalet e portit të Durrësit kompanive monopol. Sipas tij e gjithë procedura është kryer në mënyrë të fshehtë dhe pa transparencë.  

“Një tjetër vendim është edhe Privatizimi i Portit të Durrësit. Të gjitha terminalet janë dhënë ndaj kompanive monopole. Terminali i trageteve i është dhënë një kompanie që është formuar pak kohë më parë,  që nga shtatori edhe porti do të marrë fund si koorporatë shërbimesh dhe gjithçka është bërë pa transparencë dhe në mënyrë të fshehtë. “

Braçe denoncon dhe vendimin e qeverisë për të privatizuar të gjitha objektet turistike në gjirin e parë në Divjakë. Një vendim “që po shkatërron mjedisin”
 
SHQUP, BERISHA DETYROI NISHANIN TE FIRMOSTE
Braçe akuzon Berishën se detyroi Nishanin të firmoste për kthimin e SHQUP në seli PD dhe se ambasadori i SHBA-së kërkon respektimin e ligjit në lidhje me këtë çështje.

”Ambasadori i SHBA-së nuk është Shaban Memia që të legalizojë pronën pa leje të PD. Arvizu ishte shumë i qartë dje për të shprehur qëndrimin e tij dhe të ambasadës. Ai tha se janë të panashëm dhe kërkojnë që të çojnë respektimin e ligjit deri në fund, e këtë kemi kërkuar edhe ne deri më tani asgjë më shumë. Sali Berisha e detyroi Presidentin të investonte në këtë paligjshmëri, dhe kjo paligjshmëri u bë më e madhe kur Shefi i Shtabit të Ushtrirë nuk e firmosi. 

Koflikti tjetër më i madh është me pronarët, pasi ajo pronë është e njohur me ligj nga kjo qeveri për ish-pronarë nëse del nga inventari i Forcave të Armatosura, u shkon automatikisht pronarëve. Si Sali Berisha edhe Arben Imami sa herë që kanë privatizuar godina të ushtrisë, gjithmonë kanë thënë që godinat nuk ishin më në funksion.”- tha Braçe.

 Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com)