Nënkryetari i grupit parlamentar të PS tha se nuk ka fyer kur po fliste Berisha, por ka kërkuar respektimin e rregullores së Kuvendit, pasi sipas tij, ish-kryeministri po fyente.
Braçe tha se salla e Kuvendit ka degraduar prej një takëmi deputetësh, të cilët sipas tij duhet të ishin të ndëshkuar për krimet që kanë konsumuar dhe jo të kapërdiseshin në Parlament.
Sa i takon sulmeve të Berishës në adresë të tij, Braçe tha se "kam zgjedhur të jetoj modestisht që të kem gojë t'i flas Sali Berishës, t'i flas për jetën e tij, për familjen e tij, t'i flas për të birin, për të bijën dhe të gjitha aktivitetet e tyre dhe po iu them, sa ka filluar, nuk mbaron, nuk do mbarojë".
Z.Braçe, a e keni provokuar ju situatën, siç pretendon PD?
Më vjen keq, por kjo është një situatë permanente ajo që po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë. Në atë sallë i është dhënë legjimitet Sali Berishës të flasë sa herë të dojë, të flasë kur të dojë. Statusi që i është dhënë Berishës, e ka marrë dhe i është legjitimuar, ky është super-deputeti, kot kanë përmendur një tjetër si super-deputet, është ky i tillë. Me thënë të drejtën me qenë deputet i atij kallëpi, mua as më shkon ta përmend si titull për vete time. Por, ky është super-statusi që i është dhënë dhe ky njeri abuzon në mënyrën më kriminale të mundshme. Modelin e tij po e aplikojnë të gjithë, nga kryetari i grupit parlamentar, ai tjetri që përmendët ju dhe bën zakonisht shkopin në sallën e Kuvendit, vijnë nga një kulturë që s'ka lidhje me demokracinë. Sot e filloi ky që bën kryetarin e grupit të PD duke folur për derra në sallën e Kuvendit, derra në qeveri, derra në mazhorancë. Askush s'i tërhoqi vëmendjen. I kam thënë drejtuesit të seancës ç'është ky fjalor. Pasi e kanë bërë baltë këtë kërkimin e fjalës për procedurë dhe nuk thonë asgjë për procedurën, pavarësisht se rregullorja i detyron të diskutojnë për to, këtu kam ndërhyrë. Znj.Leskaj nuk i vë faj, se ai kallëp deputetësh është aty, por i kam kërkuar që të kthehemi në rendin e ditës. Kishim tre ligje të rëndësishme sot në Kuvend, ndër ta dhe ligjin për Arsimin Profesional, një e mesme e artë mes shkollës 9 vjeçare dhe arsimit të lartë, në mënyrë që këta të cilët nuk shkojnë dot në shkollën e lartë të mos mbeten pa punë. Seanca degjeneroi, degradoi.
Fjalët që kanë acaruar Nokën ka qenë kjo për respektimin e rregullores?
Po t'i kishte dhimbur dikujt aty në sallë rregullorja e Kuvendit, s'do ishte kjo gjendja. Do diskutohej për çështje madhore me interes për njerëzit. Menjëherë pas kësaj ndërhyrje time ka folur një deputet që është aty në sallë sepse ky vend s'ka drejtësi. Gjatë kësaj jave një gjykatë ka njohur si përgjegjëse të Gërdecit, Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa titullarët e këtyre institucioneve janë aty në sallën e Kuvendit, të pandëshkuar, të mbrojtur me imunitet dhe dërdëllisin duke sharë e fyer. Menjëherë pas tij, e mori fjalën një deputet që deri dje ka qenë në PS dhe ai e shthuri fjalorin. Ka javë që e shthur fjalorin, humb etikën dhe menjëherë pas tij u çua ky tjetri.
Ky tjetri e filloi me fjalën "gomar", ku është ai "gomari", e keni në kronikat tuaja se ç'a ka thënë Sali Berisha gjatë fjalës së tij. I mori të gjithë me radhë, bandit njërit, hajdut tjetrit, hajdut me çizme tjetrit.
Këto i dëgjojmë thuajse çdo javë...
Situata është permanente. Dhe pastaj pasi mbaroi me të gjithë ata që kishte pas kurrizit me qeverinë, filloi më pas me Taulant Ballën, nuk i la gjë pa thënë, përdhunues, bandit, horr, u kthye nga unë që s'po flisja por po mbaja shënim, po përgatisja disa fakte që t'ia rrëzoja fjalimin. Pasi e kisha fjalën direkt pas tij. Ai nuk le fjalë pa thënë për njerëzit brenda parlamentit, apo dhe jashtë, njerëz që nuk i njeh, po ndërhyn në familjet e tyre, po i shkatërron. Një bandit që merret me fustanet e grave dhe pantallonat e burrave.
Në atë moment, natyrisht që kam reaguar edhe unë, pasi kam 20 vjet që e dëgjoj këtë monstër, të dëgjoj një mijë e një të zezat përkundrejt meje. Ai e di fare mirë që tek unë nuk gjen asgjë. Këtë jetë që bëj unë, minimaliste me të ardhurat që marr unë dhe familja ime, e kam zgjedhur ketë jetë dhe një nga shtysat është Sali Berisha. E kam zgjedhur ta bëj këtë jetë vetëm për një arsye, që të kem gojë t'i flas Sali Berishës, t'i flas për jetën e tij, për familjen e tij, t'i flas për të birin, për të bijën dhe të gjitha aktivitetet e tyre dhe po iu them, sa ka filluar, nuk mbaron, nuk do mbarojë, nuk ka për të mbaruar, pasi letrat dalin në çdo sekondë, dëshmitarët dalin çdo sekondë, institucionet çdo sekondë nxjerrin nga një fakt, nga një provë për këtë zotëri dhe për mënyrën si e ka qeverisur këtë vend. Dy javë më përpara vuri një status në Facebook në 11 të natës dhe më përzjeu mua me disa njerëz në Lushnje ku jo vetëm kishte bujtur PD, por kishte ngrënë e kërcyer PD jo më larg se tre ditë më parë para se të shkruante statusin Sali Berisha. Ç'a duhet të bëj unë? Të rri dhe të dëgjoj?!
Paska thënë që unë s'duhet të flas, ta harrojë ai, ky tjetri që bën policin brenda sallës së Kuvendit apo kushdo tjetër, se mund t'i mbyllë gojën kujt në Kuvend. E kanë bërë kur ishim ne në opozitë dhe kanë dështuar. Tani që jemi ne në pushtet ta harrojnë.
Rrahën një qytetar në Durrës pse i tha Bashës që ky deputeti më ka marrë pronën. Siç tha sot "ia bëri mirë", ashtu tha edhe në 21 janar, "ia bëri mirë". Në këtë botë lahen të gjitha. Dhe ky kriminel mbrohet sot jo vetëm me atë status që i është dhënë në Kuvend por edhe si i paprekshëm nga organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Është e tmerrshme. Ai Kuvend ka degraduar nga ky takem njerëzish. Nuk arrij dot të marr fjalën në Kuvend nga disa barbarë që po dhunojnë Kuvendin me dhunë. Është një shqetësim që vjen edhe për qytetarët. Dy rastet e fundit të ndodhura në harkun e 10 ditëve me këtë zotërinë që ka dalë të mbledhë qytetarët për të protestuar dhe rreh qytetarët. Rreh cilindo që jep një mesazh. Në Kavajë që në vitin 1990 nuk është rrahuar njeri, ndërsa del ky dhe rreh njerëzit për të menduar.
Ky tjetri, i implikuar sot në incidentin e dhunshëm në sallën e Kuvendit, po tolerohet në mënyrë permanente nga organet ligjzbatuese.
I mbani mend zgjedhjet në Dibër? Ky zotëria ishte në krye të një bande dhe rrahu tjetrin me 17 të qepura në fytyrë, i iku policisë.
S'i hyri asgjë në këmbë.
E mbani mend të Liqeni kur goditi shefin e policisë i cili po mbronte një investim publik? Dhe organet ligjzbatuese nuk morën asnjë masë ndaj tij. Por këto janë pasojat. Kjo është superpolitika që s'do jetë asnjëherë në kandar apo në një linjë me qytetarët.