Braho: 5000 orë përgjime zyrtarëve
shqiptarë, me urdhër të Berishës!

TIRANE - Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho përmes një shkrimi të botuar në një të përditshme i është rikthyer skandalit të përgjimeve nga ana Shërbimit Informativ Shtetëror ndaj personaliteteve më të njohura të politikës por edhe gazetarë dhe zyrtarë të tjerë në vend.

Në shkrimin e tij Braho thekson se pavarësisht se kontrolli parlamentar i ushtruar lidhur me këto përgjime ka qenë i cunguar nga vetë SHISH, është arritur të zbulohet nga punonjësit e Shërbimit Informativ se janë kryer mbi 5000 orë përgjime elektronike, në mesin e të cilëve kanë qenë dhjetëra personalitete politike e shtetërore.

Sipas Brahos, në mesin e personave të përgjuar janë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, ambasadorë por edhe një sërë gazetarësh. Kreu i Komisionit të Sigurisë shton ndër të tjera se i gjithë ky inventar përgjimesh, asnjëherë nuk është shpjeguar apo përgënjeshtruar nga kreu i SHISH Visho Ajazi.

“Tashmë ka një informacion për këto përgjime të rrjedhura e pohuara nga vetë punonjësit e Shërbimit Informativ, media dhe shtypi nga të cilat paraprakisht rezulton se : Janë kryer mbi 5000 orë përgjime elektronike ku përfshihen me dhjetra personalitete të jetës politike e shtetërore, Kryeministri Rama, Kryetari i Kuvendit Meta, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Deputetë të mazhorancës dhe opozitës, një sërë gazetarësh si dhe Ambasadorët e vendeve të rajonit dhe më tej. I gjithë ky inventar përgjimesh i bërë publik ndonëse ka kaluar i shoqëruar me indiferencën e drejtuesve kryesorë të mazhorancës asnjëherë nuk është shpjeguar apo të jetë përgënjeshtruar nga Visho Ajazi, si drejtuesi kryesor.” shprehet Braho

Sipas tij, pohimet për kryerjen e këtij skandali të paligjshëm përgjimesh janë bërë edhe nga punonjësit e SHISH, të cilët kanë kryer porosinë e marrë nga drejtuesit e tyre. Në këtë drejtim, Spartak Braho nënvizon se i gjithë ky process nuk është i rastësishëm por është kryer me motivin për t’u përdorur për sulme ndaj kundërshtarëve politikë dhe sipas tij ato kanë vetëm një autor: Sali Berishën.

“Pohimet më të rëndësishme për kryerjen e përgjimeve i bëjnë vetë edhe disa nga punonjësit aktualë të SHISH-it të cilët kanë marrë porosi dhe kanë realizuar në mënyrë mekanike procedurat e përgjimit ndaj politikanëve, deputetëve dhe aktivistëve politikë në kundërshtim me ligjin. Koincidenca apo rastësia nuk mund të justifikojë edhe rastin kur një personalitet kryesor i shtetit përgjohet 800 herë, kur fashikujt e përgjimeve rregjistrohen dhe zbardhen për t’u arshivuar apo për t’u përdoru si mjete sulmi propogandistik. Vetë ligji për “Shërbimin Informativ Shtetëror” dhe neni 6 i tij ndalon përgjimin pa autorizim në rradhë të parë nga Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit e më pas nga Prokurori i Përgjithshëm, të përgjimeve të tyre.Përfundimi në këtë rast, për krijimin e tërë kësaj arshive përgjimi është se ato janë bërë nisur e thjesht për motive të ndjekjes së “kundërshtarëve politikë”, për të krijuar “database-n” me informacione kompromentuese ndaj tyre. Në Shqipëri kjo mënyrë  “jetese” ka për autor vetëm një emër Sali Berishën por në rajon kjo epidemi është njoftuar se ka zënë edhe në shtetet e tjera si Maqedoni, Greqi, Rumani etj.” nënvizon Braho

Braho-Ramës: Visho Ajazi nuk po bën detyrën, pse duhet falenderuar?
Në fund Kreu i Komisionit të Sigurisë, e mbyll me një sulm drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit në ditën e përurimit të muzeut të përgjimeve të ”Shtëpisë së Gjetheve” falenderoi kreun e SHISH Visho Ajazi Lika.

Sipas Brahos, nuk do të ishte e pasaktë të thuhej se “Shërbimi Informativ Shtetëror nuk është më struktura efiçente që siguron informacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për  të luftuar e ndjekur krimin dhe jo kundërshtarët.” Kjo referuar edhe deklaratave të Ministrit Tahiri ku në sulmet me tritol ndaj familjes së tij, u shpreh se Visho Ajazi ishte i fundit që u vu në dijeni për shpërthimet.

Në këtë drejtim, Braho i bën thirrje kryeministrit Rama që të zgjedhë rrugën e duhur dhe t’i japë Shërbimit Informativ Shtetëror funksionin dhe efiçensën e kërkuar.

“Në një deklaratë të Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin për përurimin e muzeut të përgjimeve ”Shtëpisë së Gjetheve” në muajin Dhjetor u tha se : Një “ falenderim ” për zotin Visho Ajazi Lika për gadishmërinë dhe bashkëpunimin, se kjo godinë deri para se të hynim këtu ka qënë një godinë që ka qënë pjesë e SHISH-it, pavarësisht se për shumë vite ajo nuk përdorej më “. C’ishte vallë ky falenderim ? Një lojë fjalësh apo një mburrje në vendin e krimit për shefin e Shërbimeve Sekrete të Përgjimeve ? Shefi i Mazhorancës për shumë arsye, por edhe për arsye të mos hapjes së një konflikti me Presidentin Nishani vazhdon të “ bashkëpunojë ” dhe të sigurojë informacion për luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit ende nga ky shërbim !!! Në datën 3 Shkurt me rastin e shpërthimit të tritolit në një farmaci  Ministri i Brendshëm  Sajmir Tahiri deklaroi se informacionin për këtë akt terrorist ai e mori i fundit nga Visho Ajazi!!! Nuk është e pasaktë të thuhet se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk është më struktura efiçente që siguron informacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për  të luftuar e ndjekur krimin dhe jo kundërshtarët. Gjithsesi kryeministri duhet të zgjedhë dhe vendosë për “by-passin” e tij institucional për t’i dhënë këtij organi fytyrën, funksionin, dhe efiçencën e kërkuar. Përvoja e skandalit të përgjimeve të Vatergatit në SHBA na tregon se implikimi në përgjime politike, jo vetëm ristrukturoi shërbimet inteligjente por  ngarkoi me akuza penale dhe u  arrestuan 137 nënpunës të Shtëpisë së Bardhë, agjentë të CIA-s etj, deri tek dorëheqja e Presidentit Nikson. Po në Shqipëri ?” përfundon Kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha