Braho e Bylykbashi: Duhen aktet
nënligjore, dekriminalizimi në shkurt
 

Braho e Bylykbashi: Duhen aktet<br />nënligjore, dekriminalizimi në shkurt<br /> 
TIRANË - Pastrimi i politikës shqiptare nga persona me precedentë penalë, nuk do të nisë në muajin janar të vitit të ri 2016, siç ju referua kryeministri Edi Rama pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit.
 
Kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho dhe demokrati Oerd Bylykbashi, kryetar i Komisionit të posaçëm që u ngrit për procesin e dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike, thonë se duhen edhe të paktën dy muaj që ky ligj të hyjë në fuqi.
 
Ligji bëhet i zbatueshëm vetëm nëse miratohen aktet nënligjore, të cilat sipas nenit 16, duhet të mbyllen 2 muaj pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë.

"Janë aktet nënligjore ato që japin hapësirat e nevojshme për ngritjen e disa strukturave verifikuese, monitoruese dhe që lejojnë zbatimin e dispozitave të ligjit. Këto akte nxirren nga disa organe ku përfshihet Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli i Ministrave. Gjykoj që brenda 2 muajve pra brenda 60 ditësh këto akte do të punohet për të nxjerrë me shpejtësi me qëllim që ligji përveç jehonës pozitive të miratimit të tij të ketë edhe pastrimin e politikës nga persona të cilët janë me cene", tha Braho.

Opozita dëshiron ta mbyllë sa më parë këtë proces. Për këtë arsye do të punojë dhe negociojë me maxhorancën dhe gjatë pushimeve dimërore për hartimin e këtyre akteve.

"Jemi në një periudhë që është fundi i vitit dhe për rrjedhojë dhe është pushimi i periudhës domethënë deri fillimin e sesionit tjetër por neve do të bëjmë çmos një aktet nënligjorë të punohen dhe të jenë të gatshme që në momentin më të parë që parlamenti do të ketë seancën e parë ti miratojë, që do të jetë Janari besoj", tha Bylykbashi.

Të enjten në mbrëmje, kuvendi miratoi ligjin e dekriminalizimit dhe ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë zbatimit të tij. Nëse për kushtetutën presidenti dha pëlqimin paraprak, ligji i dekriminalizimit duhet të presë dekretimin e tij dhe më pas 15 ditë të tjera që të hyjë në fuqi. /Report TV/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi