Braho: Prifti e Doshi, komplot Metës

Braho: Prifti e Doshi, komplot Metës
Nëpërmjet një letre të gjatë dërguar krerëve më të lartë të shtetit, presidentit te Republikës, Bujar Nishani, kreut të Parlamentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako përfshi shefin e inteligjencës shqiptare Visho Ajazin, kreu komisionit parlamentar të sigurisë Spartak Braho paralajmëron për një destabilitet politik ne vend.

Një burim i tha Top Channel se deputeti i LSI-së në letër akuzon se pjesë e këtij skenari destabilizues janë ish ministri i Energjitikes, Dritan Prifti dhe ish deputeti socialist Tom Doshi.

Sipas Brahos, disponohen prova se ata kanë ushtruar presion mbi bashkëshorten e Katriot Ismailajt në mënyrë që ky i fundit të dëshmojë në procesin gjyqësor kundra Ilir Metës. Takimi sipas tij është kryer në një nga baret e një hoteli luksoz në Tiranë dhe bashkëshortja e Ismailaj u kërcënua nga deputeti Doshi.

Burimi duke cituar pasazhe të kësaj letre thotë se Spartak Braho pretendon se dyshja Prifti-Doshi e kanë realizuar këtë presion duke përdorur emrat e liderit të opozitës Basha dhe të ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe kryeministrit Rama.

I njëjti burim thote se, në letër kreu i komisionit të sigurisë Braho, nuk jep të dhëna të plota për provat që disponon për këtë implikim të Dritan Priftit dhe Tom Doshit në një destabilizim të mundshëm të vëndit.

Por zoti Braho kërkon me urgjencë marrjen e masave për sigurimin e mbrojtjes së familjes së Ismailajt dhe hetimin e kërcënuesve. Në letrën e marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar menjehëre organin e tij kompetent të ndjekë procedurën për dhënie mbrojtje të familjes Ismailaj. Letra e zotit Braho është dërguar nga policia për dijeni Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Pritet që prokuroria pasi të shqyrtojë të dhënat e dërguara të vendosë për t’i dhënë mbrojtjen familjes Ismailaj. 

Nderkaq, të kontaktuar nga Top Channel, kanë reaguar dy personazhet e përmendur në letër, Dritan Prifti dhe Tom Doshi.

Në lidhje me takimin me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, Doshi tha:

“Kam 15 vite që njihem me bashkëshorten e zotit Ismailaj. Unë jam deputet dhe mund të takohem me këdo. Po, jam takuar me kërkesë të saj. Le të kontrollohen tabulatet e mija dhe të shikohet se kush e ka kërkuar takimin”.

Doshi në prononcimin e tij për Top Channel tha gjithashtu se ai nuk ka asnjë dijeni për bizneset e mundshme që mund të ketë patur Ilir Meta me Kastriot Ismailajn.

Por ai the se ka dy pyetje për Ilir Metën nëse ai ka vizituar zyrtar e Kastriot Imailajt tek ish Radio Tirana përpara zgjedhjeve lokale të 2011 dhe a ka shkuar në Çeki për të lobuar në marrjen e kontratës nga DIA.

Ndërsa Prifti shprehet se nuk ka njohje me bashkëshorten e Ismailajt dhe shton se e do këtë vend më shumë se Ilir Meta, dhe se nuk do të dëshironte asnjë lloj destabiliteti. Sipas Priftit, asnjë presion nuk nuk do të bëjë që ai të tërhiqet nga e vërteta. Nëse do të hapet një hetim serioz për CEZ dhe DIA-n Prifti deklaron se do të dëshmojë të vërtetën, sidomos kur, sipas tij po kërkohet t’i zhvaten vendit 130 milionë euro.

Duket se edhe për çështjen CEZ, po riaktualizohet i njëjti konflikt si disa muaj më parë, atë për atentatin e supozuar ndaj Doshit, ku të përfshirë ishin deputeti Tom Doshi dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

*Marrë nga Top-Channel

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë