Garreth Bale u bë protagonist për humbjen e Real Madrid kundër Real Sociedad pasi u largua nga stadium afërsisht 15 minuta para se të përfundonte takimi. Uellsiani nuk ishte i gatshëm për të zbritur në fushë dhe e ndoqi ndeshjen nga shkallët e stadiumit.
Në çerek orën e fundit ai u fotografua duke u larguar nga “Bernabeu”, pasi siç duket nuk i pëlqeu rezultati dhe loja që po prodhonin shokët e skuadrës. Për këtë rast, “El Cofidencial” shkruan se klubi “galaktik” ka marrë masat duke e dënuar futbollistin me gjobë.
Rregullat e brendshme të klubit thonë: “Lojtarët që nuk grumbullohen për një ndeshje, për çfarëdo arsye, kanë detyrimin të qëndrojnë deri në fund të lojës dhe është e këshillueshme që të jenë afër ekipit, para dhe pas ndeshjeve. Këto rregulla janë për të nxitur frymën kolektive dhe integrimin.”
Futbollisti nga Cardiff-i nuk e pa golin e Rubén Pardo në minutën e 83-të, që vulosi dështimin 2-0 të “Los Blancos”. Sa i takon gjendjes së futbollistit, Bale ka pasur sërish lëndim te gjuri i këmbës së majtë dhe do të duhen të paktën edhe dy javë që të kthehet i gatshëm për skuadrën.
Komento