Nga ndeshja Itali - Kosta Rika
TIRANË, 20 Qershor/ATSH-Gjergji Mima/ -Italia rrezikon eleminimin nga kampionati botëror "Brazil 2014", pasi është mundur pasditen e sotme 1-0 nga Kosta Rika.
Skuadra italiane, vinte në këtë ndeshje pas fitores 2-1 ndaj Anglisë dhe priste të kishte një takim të lehtë me amerikoano-qëndrorët, por Kosta Rika e ka vënë në vështirësi ekipin e Cesare Prandelli-t, që në minutat e para.
Sulmuesi Italian Mario Balotelli, pas provës së mirë me Anglinë, ka zhgënjyer në ndeshjen e sotme duke humbur dy raste për shënim në pjesën e parë.
Ndërsa Kosta Rika, falë lojës së shpejtë të sulmuesve të saj ka qenë mjaft e rrezikshme dhe pas një aksioni ku arbitri u ka mohuar një penallti, ka ardhur në minutën e 44-t goli i fitores me anë të Bryan Ruiz.
Në pjesën e dytë Italia ka kërkuar golin e barazimit, por Kosta Rika është mbrojtur me kujdes, duke mos lejuar në asnjë rast skuadrën italiane të rrezikojë portën e Chelos Navas.
Pas kësaj fitoreje Kosta Rika siguron kualifikimin për në fazën tjetër me 6 pikë, ndërsa Italisë do t'i duhet të përballet me Uruguajin në një ndeshje që do të vendosë kualifikimin për më tej, teksa të dyja skuadrat kanë nga 3 pikë.