Philippe Coutinho vulos transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez, teksa firmos për Barcelonën për vlerën e 160 milionë eurove. Më në fund plotësohet kështu dëshira e 25-vjeçarit të përfaqësueses braziliane, që këmbënguli shumë edhe gjatë verës së kaluar për t’u transferuar në radhët e klubit katalanas.
Mendohet që në kontratë 120 milionë euro garantojnë shumën bazë të transferimit, ndërsa 40 milionët e tjerë do të jepen në varësi të bonuseve, pra përmbushjes së objektivave dhe arritjeve personale të futbollistit brazilian me ekipin e Barcës.
25-vjecari thyen kështu rekordin e Barcelonës, që mbahej nga sulmuesi francez i ardhur nga Borusia e Dortmundit Ousmane Dembele, për të cilin u paguan 105 milionë euro, por gjithashtu edhe rekordin britanik, që ishte vendosur nga një tjetër francez, Paul Pogba, për të cilin Manchester United shpenzoi po 105 milionë euro.
Përpara Coutinho-s natyrisht mbetet Neymar, që u transferua verën e kaluar nga Barca te Paris SG për shifrën rekord 222 milionë euro.
