Tiranë - Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, duke komentuar deklaratën e dy ditëve më parë të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, për të pasur sjellje kortezie nga opozita, ka thënë se ai është një vizitor që ndjek nga larg situatën politike në Shqipëri, një mënyrë për t’i thënë se është një ambasador në ikje.

Sipas Bregut, Arvizu nuk ka ndjesitë dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria e re. Ajo ka thënë se nuk mund të ketë kortezi me sjelljet rrugaçore. “Ambasadori i SHBA përfaqëson një vend një mik partner të Shqipërisë, por nuk ka ndjesinë e qytetarit shqiptar për të parë tek kryeministri dhe qeveria e re realizimim e premtimeve elektorale.

Është një vizitor që ndjek seancën nga larg. Kortezi me sjellje rrugaçërie nuk ka”, ka thënë ajo gjatë një interviste për “Ora News”. Dhe akuzat e ministres së larguar tashmë të Integrimit Majlinda Bregu ndaj ambasadorit amerikan Arvizu, nuk janë të parat nga ana e lidershipit të PD. Pasi ka qënë më parë ish-zv.ministri i Jashtëm Çollaku, ish-ministri i Inovacionit Pollo dhe kryesisht dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Topalli ata që kanë akuzuar rëndë Arvizunë.


Shkrimi u publikua sot(13.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj.shqiptarja.com)