Pasditen e sotme një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në një pikë karburanti në Fushë-Krujë. Një ka qenë autori i vjedhjes, i cili drejtonte një taksi, dhe që ka kërcënuar me armë punonjësit e karburantit duke u marrë xhiron ditore.

Emiliano Nikolli alias Lleshi, që dyshohet si autor i grabitjes është shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që mësohet se si ai realizoi 2 vjedhje brenda pak orëve. 

Fillimisht, ai ka marrë një taksi në Tiranë duke kërkuar të shkojë në Fushë-Krujë.

Në afërsi të Tapizës ka kërcënuar taksistin duke marrë vetë drejtimin e makinës, ndërsa taksistin e ka lënë në një zonë të largët, duke i marrë paratë dhe celularin.

Pasi ka vjedhur taksistin, autori ka shkuar pranë një pike karburanti në afërsi të Milotit dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë punonjësve paratë e xhiros ditore. 

Më pas, i riu ka lënë mjetin e grabitur në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe është zhdukur duke humbur gjurmët.

Edhe më 10 maj të këtij viti Emiliano Nikolli ishte bashkëautor i grabitjes së një tjetër pike karburanti në fshatin Fushë Gjormë, ndërsa më 30 maj, nën kërcënimin e armës i vodhi një shumë të konsiderueshme parash një tjetër taksisti në fshatin Fushë Mamurras.