Brenda perandorisë së madhe ekonomike të Hamasit! Si po shmangen sanksionet e Perëndimit?!

Brenda perandorisë së madhe ekonomike të Hamasit! Si po shmangen sanksionet e Perëndimit?!

I parë nga njëri prej restoranteve më të shkëlqyer të Stambollit, Bosfori duket tejet madhështor. Vendi është një vendstrehim i preferuar i biznesmenëve, të famshmëve por edhe financuesve të Hamasit. Një burrë, ndaj të cilit Amerika ka vendosur sanksione për financimin e grupit islamik, ka rrëfyer së fundmi për rolet që ka në borde të ndryshme.

“Janë qesharake”, thotë ai, i pyetur mbi akuzat e SHBA-së.

Por në fund e pranon duke thënë: ”Tani, nëse po më pyesni se çfarë bëjnë punonjësit tanë me paratë e tyre, e pse do të duhej ta di?”.

Hamasi ka tre burime të fuqisë së saj: forcën fizike brenda Gazës, shtrirjen e gjerë të ideve radikale dhe të ardhurat e tij.

Që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vrarë më shumë se 12.000 palestinezë në Gaza në përpjekje për të shkatërruar organizatën ekstremiste. Por synimi i deklaruar i Izraelit për ta bërë këtë, kërkon edhe çmontimin e bazës së tij financiare. Dhe shumë pak nga kjo e fundit gjendet në Gaza.

Më së shumti, ajo gjendet kryesisht jashtë Gazës, në vendet mike të lëvizjes. E pajisur me pastrues parash, kompani minerare dhe shumë mjete të tjera, perandoria financiare e Hamasit llogaritet se arkëton më shumë se 1 miliard dollarë në vit. Duke qenë se është krijuar me shumë kujdes për të shmangur sanksionet perëndimore, ajo mund të jetë e paarritshme për Izraelin dhe aleatët e tij.

Të ardhurat e Hamasit paguajnë për gjithçka, nga pagat e mësuesve deri tek raketat. Rreth 360 milionë dollarë, arkëtohen çdo vit nga taksat e importit për mallrat e sjella në Gaza nga Bregu Perëndimor apo Egjipti. Ky është burimi më i lehtë i parave që mund të bllokojë Izraeli.

Pas tërheqjes nga Rripi i Gazës në vitin 2005, ai kufizoi rreptësisht lëvizjen e mallrave dhe njerëzve përtej kufirit. Tani po ndalon hyrjen edhe të produkteve më themelore për jetesën normale. Megjithatë, një fluks shumë më i madh të ardhurash vjen nga jashtë, raporton The Economist.

Zyrtarët izraelitë mendojnë se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 750 milionë dollarësh në vit, duke e bërë atë burimin kryesor të financimit për rezervat aktuale të armëve dhe karburantit të Hamasit. Disa vijnë nga qeveritë mike, dhe pjesa më e madhe i takon Iranit. SHBA llogarit se Ajatollahët iranianë ofrojnë 100 milionë dollarë për grupet islamike palestineze, kryesisht në ndihmë ushtarake.

Detyra e financuesve të Hamasit, është t’i lëvizin këto para pa rënë pre e sanksioneve të Amerikës. Vetëm gjatë muajit të kaluar, zyrtarët amerikanë, vendosën 3 raunde kufizimesh ndaj njerëzve dhe kompanive për shkak të financimit të Hamasit.

Shmangia e sanksioneve amerikane kërkon njëfarë zgjuarsie. Miliona dollarë shkojnë për Hamasin përmes tregjeve të kriptomonedhave. “Do të habiteshit se sa pjesë e aktivitetit tregtar shkon për llogari të Hamasit”- thotë Firuze Segzin, ekonomiste në Universitetin Bilkent.

Departamenti Amerikan i Thesarit, thotë se Hamasi ka kontrabanduar më shumë se 20 milionë dollarë përmes Redin, një agjenci shkëmbimi valutor që ndodhet në lagjen e vjetër Fatih në Stamboll. Por pjesa më e madhe e parave të Hamasit - të paktën 500 milionë dollarë në vit sipas pretendimeve të zyrtarëve izraelitë - vjen nga investimet e tij, disa prej të cilave janë kompani të regjistruara në vende të Lindjes së Mesme.

Ato drejtohen nga ekspertë të zyrës së investimeve të Hamasit, dhe të punësuarit janë anëtarë të lëvizjes. Zyrtarët amerikanë thonë se këto kompani dhurojnë para për bamirësi, të cilat nga ana e tyre i dërgojnë në formën e fondeve për Hamasin. Zyrtarët turq e pranojnë se ndonjëherë fitimet shpërndahen drejtpërdrejt.

Zbërthimi i skemës së fluksit përmes të cilit lëvizin këto të ardhura është jo pak i ndërlikuar për entet rregullatore perëndimore. Një kompani e tillë ndërtoi “Afra Mall”, qendrën e parë tregtare në Sudan, ndërsa një tjetër një minierë pranë Khartoum, kryeqyteti i vendit. Një e tretë ndërtoi disa rrokaqiej në Sharjah, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shumica e prej këtyre kompanive, mburren me marrëveshjet e tyre të biznesit, por e mohojnë lidhjen me Hamasin.

A mund të ndërpritet ndonjë nga flukset e të ardhurave që i ka mbetur Hamasit? Kjo varet nga vendet nëpër të cilat rrjedhin ato. Që nga viti 1989, kur Izraeli arrestoi disa drejtues të lartë të Hamasit në Gaza dhe Bregun Perëndimor, bankierët e organizatës kanë jetuar jashtë vendit.

Por me kalimin e kohës, ndryshimet gjeopolitike i kanë detyruar ata të vazhdojnë të zhvendosen herë pas here. Kështu Hamasi e braktisi qendrën e tij të parë financiare, Amanin, pasi u forcuan shumë lidhjet e Jordanisë me Amerikën.

Sot, ndërsa politikanët e Hamasit preferojnë Dohën, kryeqytetin e Katarit, dhe kompanitë e tij shtrihen nga Algjeria dhe Sudani deri në Emiratet e Bashkuara Arabe, financuesit e organizatës jetojnë në masë në Stamboll. Atje jeton edhe Zaher Jabarin, i akuzuar nga Izraeli se drejton financat e Hamasit (akuzën që ai e mohon), ashtu si disa individë të tjerë që janë nën sanksionet e SHBA-së për shkak të financimit të organizatës.

I interesuar për të fituar ndikim rajonal nëpërmjet mbështetjes së kauzës palestineze, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ofron vazhdimisht strehim atyre. Izraeli thotë se qeveria turke i jep pasaporta (akuza që sërish i mohon), dhe e lejon Hamasin të ketë selinë e saj në këtë vend.

Ndërkohë, sistemi bankar i Turqisë e ndihmon Hamasin të shmangë sanksionet amerikane, duke arritur të kryejë transaksione komplekse në të gjithë botën. Atë e ndihmon edhe tregu i lulëzuar i kriptomonedhave. Shumë nga bankat më të mëdha të Turqisë, përfshirë Kuveyt Turk, janë akuzuar nga Izraeli dhe SHBA-ja se kanë ruajtur me vetëdije paratë e Hamasit.

Madje ka zëra që thonë se Erdogan e miraton në heshtje këtë praktikë. Në vitin 2021, Task Forca e Veprimit Financiar, një organ mbikëqyrëse i vendeve të G-7, e vendosi Turqinë në “listën gri” të vendeve që bëjnë shumë pak për të ngrirë asetet e terroristëve. Askush nuk përfiton më shumë sesa biznesmenët e Hamasit.

Miratimi i heshtur i qeverisë turke “hap dyert dhe lehtëson bërjen e biznesit”, thotë një nga punonjësit e financave të grupit. Trend Gyo, një kompani e regjistruar në Stamboll, e cila është vendosur nën sanksione nga SHBA-ja për kanalizimin e fondeve për Hamasin, fitoi së fundmi një tender nga qeveria turke për të ndërtuar Universitetin Tregtar të Stambollit.

Kompanitë e ndërtimit, të cilat përfshihen në një masë të madhe në portofolin e investimeve të Hamasit, mund të përthithin në heshtje sasi të mëdha parash dhe të marrin rregullisht kredi në shuma të mëdha. Dhe e gjitha kjo i jep mundësi zyrtarëve turq të thonë se ato nuk po mbulojnë drejtpërdrejt financat e Hamasit.

Deri më tani, Hamasi duket i papërshkueshëm nga goditjet, të paktën në aspektin financiar. Izraeli i ka shkaktuar dëme në infastrukturë, por jo në të ardhurat dhe kursimet monetare të organizatës. Bankat turke nuk kanë qenë aspak bashkëpunuese. Sanksionet e shumta të vendosura nga Amerika, janë më pak efektive nëse objektivat e tyre kanë mundësi që të mbajnë para jashtë sistemit të saj bankar. Dhe Hamasi di t’i fshehë mirë kompanitë e tij.

“Sa herë që mendoni se keni në duar një peshk të madh, ai e ndryshon emrin”, thotë i dëshpëruar një ish-zyrtar i Thesarit të SHBA-së.

Madje ekziston rreziku që financat e Hamasit të përmirësohen akoma më tej. Ndërsa Izraeli po i shton sulmet e tij në Gaza, qeveritë perëndimore mund të ndikohen shumë nga katastrofa humanitare atje.

Në këto kushte, vendet me popullsi pro-palestineze, mund ta bëjnë edhe më të lehtë që Hamasi të fitojë para. Për muaj të tërë, kanë qarkulluar zëra se disa nëpunës civilë në Ministrinë e Ekonomike në Turqi, po bashkërendojnë veprimet me zyrën e financave të Hamasit.

Për Izraelin skenari që Hamasi të bëhet më i pasur pavarësisht luftës që po ndodh në Gaza, do të ishte shumë i keq. Sepse me pasurinë dhe rrënjët e saj financiare të paprekura, ajo apo një organizatë e ngjashme, mund të lulëzojë pas shkatërrimit.

Ndërkohë banorët e Gazës janë të zhytur në një tragjedi të madhe, në mënyrë që Izraeli të shkatërrojë një grup, paratë dhe fuqia e të cilit janë të sigurta diku tjetër. Krahasoni pak gjendjen e tyre me panoramën e drejtuesve të Hamasit në Stamboll:duke ngrënë karavidhe, dhe duke kundruar me ëndje Bosforin.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë