Brexiti përkeqëson mungesën e personelit në Britaninë e Madhe

Brexiti përkeqëson mungesën e personelit në Britaninë e Madhe

Qeveria britanike dëshiron që punëdhënësit t'i zënë vendet e punës me punëtorë vendas dhe të paguajnë paga më të larta. Por një studim tregon se nuk ka ende shenja të rritjes së pagave që nga Brexit-i. Studiuesit e tregut të punës në Britaninë e Madhe ia atribuojnë Brexit-it disa nga mungesat e rënda të punonjësve në Britaninë e Madhe. Kështu thuhet në një studim të publikuar sot.

"Ka disa dëshmi se fundi i lëvizjes së lirë të punonjësve ka kontribuar në mungesa në sektorë të ndryshëm të tregut të punës në Mbretërinë e Bashkuar," tha Chris Forde, një studiues i tregut të punës në Universitetin e Leeds, i cili ka studiuar në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Oksfordit ndikimin e Brexit. Ky nuk është faktori i vetëm, megjithatë, shtoi ai.

Sipas studimit, pandemia dhe fakti që shumë punëtorë kanë vendosur të dalin në pension më herët se zakonisht janë arsye të tjera të mungesës. Kësaj i shtohen mungesat specifike për sektorë të caktuar. Vitin e kaluar, për shembull, mungesa e shoferëve të kamionëve bëri që raftet e supermarketeve mbetën pjesërisht të zbrazëta dhe pikat e karburanteve nuk furnizoheshin dot me karburant. Megjithatë, është e vështirë të veçohen efektet e përfundimit të lëvizjes së lirë nga veçoritë e tjera të tregut të punës pas pandemisë, shpjegojnë studiuesit. Sipas tyre, kur punëdhënësit kanë vështirësi të rekrutojnë personel të mjaftueshëm, shpesh ka disa faktorë që kombinohen. Tendencat afatgjata, si rritja më e ulët e pagave, për shembull, i bëjnë disa profesione më pak tërheqëse.

Gastronomia në vështirësi

Në fusha të tilla si gastronomia apo logjistika, punëdhënësit britanikë dikur mbështeteshin shumë te BE, thotë studimi. Tani ata kanë vështirësi të mëdha në plotësimin e vendeve të punës. Numri i falimentimeve të restoranteve në Britani u rrit me pothuajse dy të tretat (64 për qind) vitin e kaluar, siç analizoi së fundmi në një vlerësim firma e auditimit UHY Hacker Young. Nëse në vitet 2020/21 u paraqitën për falimentim 856 restorante (deri më 31 mars), për vitin e ardhshëm parashikohen 1406 të tillë.

Restorantet më të vogla në veçanti po vuajnë nga fakti se nuk janë më në gjendje të punësojnë me lehtësi punonjës nga BE-ja, tha partneri i UHY, Peter Kubik. "Shumë restorante thjesht nuk mund të gjejnë numër të mjaftueshëm punonjësish për të qenë në gjendje të punojnë në një mënyrë që të nxjerrin fitime."

Procedurë e komplikuar për të marrë vizë

Me Brexit-in, liria e lëvizjes - domethënë e drejta e qytetarëve të BE për të jetuar dhe punuar në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian - mori fund në Britani. Tani kërkohen viza të shtrenjta, të sponsorizuara nga punëdhënësi dhe që duhet të aplikohen përmes një procedure komplekse.

Sistemi i imigracionit pas Brexit liberalizoi qasjen në tregun e punës në Mbretërinë e Bashkuar për qytetarët jo nga BE, por në të njëjtën kohë futi kërkesat për viza për qytetarët e BE që më parë mund të punonin në çdo profesion, shkruajnë studiuesit në studimin e tyre.

"Si rezultat, profesioneve me paga të ulëta, të cilat më parë mbështeteshin shumë në punën e BE-së, tani nuk u jepen më viza pune, me disa përjashtime të kufizuara për punonjësit socialë dhe punonjësit sezonalë."

Prodhim më i ulët - jo paga më të larta

Qeveria britanike i ka vendosur vetes synimin e një "ekonomie shumë të kualifikuar me paga të larta”. Punëdhënësit britanikë duhet të plotësojnë vendet e punës me punëtorë vendas dhe të rrisin pagat. Deri tani, megjithatë, nuk ka asnjë provë që pagat janë rritur ndjeshëm që nga Brexit-i, përfundojnë studiuesit. Në fakt, punëdhënësit që mbështeteshin shumë te punëtorët e BE priren të përshtaten duke prodhuar më pak ose duke automatizuar procese. Disa vende pune - për shembull në bujqësi - tani u jepen të huajve jo evropianë, por kjo nuk është një alternativë e përshtatshme për të gjitha bizneset.

"Në një kohë që është e qartë se fundi i lëvizjes së lirë e ka bërë më të vështirë për punëdhënësit në sektorin me paga të ulëta të gjejnë kandidatë të përshtatshëm, ndryshimet në ligjet e imigracionit kanë sfidat e tyre," thotë Madeleine Sumption, e cila drejton Departamentin e Kërkimeve të Emigracionit në Universitetin e Oksfordit.

Programet e vizave në këta sektorë shpesh çojnë në shfrytëzim dhe janë të vështira për t'u rregulluar.

Banka Qendrore parashikon një inflacion mbi 13 për qind

Pasojat e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe rënies së konjukturës të ekonomisë botërore po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë britanike. Ajo u tkurr pak në pranverë. Nga prilli në qershor, produkti i brendshëm bruto (PBB) ra 0.1 për qind nga tremujori i mëparshëm. Banka e Anglisë vlerëson se vendi do të rrëshqasë në një recesion në fund të vitit, i cili pritet të zgjasë deri në vitin e ardhshëm. Do të ishte periudha më e gjatë e dobësisë ekonomike në ishull që nga kriza globale financiare.

Të nxitura nga kostot në rritje të energjisë dhe problemet e zinxhirit të furnizimit, çmimet e konsumit në Britani së fundmi u rritën me 9.4 për qind. Banka qendrore britanike pret një normë inflacioni mbi 13 për qind deri në fund të vitit. Për të luftuar inflacionin e lartë, autoritetet monetare e ngritën së fundmi normën e politikës monetare me gjysmë pikë përqindjeje, në 1.75%, gjë që është e pazakontë./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Biden pendohet që u tërhoq nga gara presidenciale: Do e kisha mundur Trumpin

Biden pendohet që u tërhoq nga gara presidenciale: Do e kisha mundur Trumpin