Brglez: I kënaqur me reformat
Sllovenia ju mbështet për në BE

Brglez: I kënaqur me reformat<br />Sllovenia ju mbështet për në BE
TIRANE - Sllovenia është e kënaqur me ecurinë e reformave në vendin tonë, veçanërisht asaj në sistemin e drejtësisë dhe ligjin e ashtuquajtur të dekriminalizimit. Kështu u shpreh kryetari i Asamblesë së Sllovenisë Milan Brglez gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeparlamentarin shqiptar Ilir Meta. Brglez i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare, tha se Sllovenia do të vijojë të mbështesë përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. 

Por përtej reformave - theksoi ai - puna më e madhe mbetet tek vullneti politik për t'i zbatuar këto reforma. 

Edhe për kreun e Kuvendit Meta, Sllovenia është një aleat i fortë i Shqipërisë në procesin e integrimin. 

Më herët Meta dhe Brglez nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, përmes të cilit institucionalizohet bashkëpunimi mes dy parlamenteve dhe konfirmohet vullneti i përbashkët për thellimin dhe rritjen e cilësisë së marrëdhënieve dypalëshe.

meta brglez

Konferenca e përbashkët për shtyp

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta
Kam kënaqësinë e veçantë t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë edhe një herë Kryetarit të Parlamentit të Sllovenisë, Shkëlqesisë së Tij z. Milan Brglez në këtë vizitë zyrtare dypalëshe. Dua ta falënderoj kolegun Brglez për pranimin e ftesës dhe të shpreh mirënjohjen për vëmendjen e veçantë, që Sllovenia i kushton zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Gjatë këtij takimi tepër të ngrohtë dhe miqësor që kemi patur, kemi vlerësuar se niveli i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sllovenisë është i shkëlqyer, që reflektohet nga zhvillimi i një dialogu intensiv politik dhe shkëmbimeve gjithnjë e në rritje edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sllovenia është, jo vetëm një vend mik dhe aleat për Shqipërinë, por edhe një partner dhe avokat i fuqishëm i kauzës së procesit të integrimit europian të vendit tonë dhe rajonit në Bashkimin Europian. Sllovenia është një aleat, tek i cili ne mbështetemi fort për përshpejtimin e axhendës tonë europiane. Kemi vlerësuar bashkërisht se bashkëpunimi ndërparlamentar, në veçanti në kuadër të procesit të integrimit, merr një dimension të veçantë. Sepse ne vlerësojmë në mënyrë të veçantë ekspertizën sllovene brenda strukturave të Bashkimit Europian. Në këtë drejtim e kam falënderuar Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, z. Brglez për gatishmërinë e vazhdueshme të Parlamentit Slloven për të mbështetur Kuvendin e Shqipërisë në këtë proces.

Ndaj edhe patëm kënaqësinë sot të nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, përmes të cilit kemi konfirmuar vullnetin përbashkët për thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve tona, si një kontribut në rritjen e cilësisë së marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Duke e konsideruar eksperiencën sllovene si një shembull të shkëlqyer suksesi të integrimit në Bashkimin Europian, kemi rënë dakord të krijojmë një kornizë të përbashkët bashkëpunimi ndërparlamentar, lidhur me shkëmbimin e eksperiencave për çështje, që lidhen kryesisht me procesin e integrimit europian.

Ky memorandum mirëkuptimi do të rrisë cilësinë e aktivitetit parlamentar në linjën me praktikat më të mira evropiane, si në drejtim të aspektit legjislativ, ashtu edhe në drejtim të përforcimit të kapaciteteve parlamentare duke i paraprirë kështu fazës së përgatitjes për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, kurdo që edhe BE-ja të jetë gati për këtë proces.

Kemi rënë dakord gjithashtu të intensifikojmë shkëmbimet mes dy parlamenteve tona, si përmes grupeve reciproke të miqësisë, ashtu edhe komisioneve të përhershme parlamentare. Në Kuvendin tonë, Grupi i Miqësisë me Slloveninë do të drejtohet nga deputeti Fatmir Toçi, me përfaqësues nga të gjitha forcat politike, dhe kam besim se do të japi një kontribut të spikatur në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ndërparlamentare për të përcaktuar një dinamikë të re bashkëpunimi afatgjatë, dhe njëkohësisht për të konkretizuar edhe të gjitha çështjet e dakordësuara në memorandumin e mirëkuptimit që sapo nënshkruam midis dy parlamenteve.

Në kuadër të zhvillimeve të brendshme në Shqipëri, e njoha kolegun slloven me reformat e rëndësishme, që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren në vendin tonë, e në veçanti me kryereformën që ka të bëjë me reformën në fushën e drejtësisë. Kemi ndarë gjithashtu bindjen se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të reflektojnë një nivel më të lartë shkëmbimi dhe në këtë drejtim kemi vlerësuar se dy parlamentet do të inkurajojnë të dyja qeverinë tona dhe institucionet respektive për të punuar më shumë edhe në drejtim të rritjes së investimeve dhe kontakteve midis Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë në të gjitha fushat me interes reciprok.

Njëkohësisht, dua të theksoj, se lidhur me zhvillimet më të fundit përsa i takon krizës së refugjatëve, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj modest në këtë drejtim dhe beson se të gjithë vendet e Bashkimit Europian, por edhe të rajonit tonë, do të mbajnë përgjegjësitë e tyre për të përballuar me sukses këtë sfidë të re për Europën.

Po kështu nuk duhet të harrojmë se lufta kundër terrorizmit është një prioritet mjaft i rëndësishëm për vendet tona edhe si vende anëtarë të NATO-s, por edhe si vende ku thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi është mjaft i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë për rajonin tonë. Njëkohësisht, kemi diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe vlerësojmë jashtëzakonisht mbështetjen e Sllovenisë për forcimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, si edhe për përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale.

Dua të theksoj në këtë konferencë shtypi se ftesa e NATO-s për anëtarësim ndaj Malit të Zi, fqinjit tonë të drejtpërdrejtë, të cilin e kemi konsideruar si vendim të duhur dhe të drejtë, që i shërben forcimit të parametrave të sigurisë përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut, njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë për të ardhmen euroatlantike të gjithë rajonit ku ne jetojmë.

Dua ta falënderoj edhe një herë Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, z. Milan Brglez për këtë vizitë zyrtare që po zhvillon në vendin tonë, edhe e cila njëkohësisht është edhe preludi i disa aktiviteteve mjaft të rëndësishme ndërkombëtare që do të zhvillohen në vendin tonë duke filluar nga java e ardhshme me asamblesë parlamentare të vendeve të Mesdheut.
 
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë z. Milan Brglez
Faleminderit shumë! Jam shumë i kënaqur që marrëdhëniet midis Sllovenisë dhe Republikës së Shqipërisë janë në një nivel shumë të mirë dhe dy parlamentet tona tashmë, përmes përmbylljes së kësaj marrëveshjeje mund të kontribuojnë akoma më shumë drejt bashkëpunimit, që është i frytshëm për të dyja palët. Nga njëra anë shkëmbimi i eksperiencave dhe njohurive që janë thelbësore dhe të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe nga ana tjetër të kuptuarit e rajonit dhe të gjitha formave të bashkëpunimit, që gjithashtu janë thelbësore për vendet e vogla, siç është Sllovenia.

Sllovenia ka mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për integrim të mëtejshëm të Republikës së Shqipërisë në institucionet euro-atlantike dhe në mënyrë të veçantë mbështet dhe do të mbështesë kandidaturën e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Jemi shumë të kënaqur me reformat që Shqipëria ka ndërmarrë deri tani. Në mënyrë të veçantë me reformën në sistemin e drejtësisë dhe të ashtuquajturin ligjin për dekriminalizimin. Ne si parlamentarë e dimë që prapa këtyre reformave ka përpjekje ekstreme dhe pjekuri të hapësirës politike, të nevojshme për arritjen e këtyre reformave dhe ne gjithashtu shpresojmë që këto reforma do të zbatohen në mënyrë që të sjellin një të ardhme të re anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Memorandumi i mirëkuptimit mes dy parlamenteve  është një shenjë dhe një nxitje për një bashkëpunim të mëtejshëm të punës parlamentare në të gjitha nivelet, dypalëshe dhe shumëpalëshe. Përveç bashkëpunimit politik mes dy parlamenteve, shpresojmë që të rrisim edhe bashkëpunimin dypalësh ekonomik, kulturor dhe shkencor mes dy vendeve. Në fund, shpresoj që të gjithë të ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen e Evropës dhe të Bashkimit Evropian.

Ai duhet të jetë i hapur për të gjithë ata që ndajnë vlerat e bashkëpunimit akoma më të ngushtë mes njerëzve dhe të gatshëm të mbështesin përpjekjet e projektit të BE-së. Thelbësore për një projekt të tillë është që BE-ja të gjejë një qasje të përbashkët ndaj krizës aktuale të emigracionit. 
Ku bashkëpunimi mes vendeve që tashmë janë anëtare të Bashkimit Europian dhe atyre që janë afër anëtarësimit evropia
n është thelbësor mirëqenien e qytetarëve tanë.
Dhe besoj se kjo vizitë do të ndihmojë dy vendet tona për të ecur akoma më mirë në këtë aspekt, në të gjitha nivelet e miqësisë tashmë të krijuar në dy parlamentet tona do të shkojë akoma më tej. 

Së fundmi, më lejoni t’ju falënderoj edhe njëherë për ftesën dhe jam shumë i kënaqur që shoh këtë mikpritje të ngrohtë.
 
Pyetje nga gazetarët
Pse ishte çështja e refugjatëve në axhendën tuaj, kur në Shqipëri nuk ka ende refugjatë sirianë?
Z. Milan Brglez: Sepse kriza e refugjatëve është një problem i të gjithë Bashkimit Europian. Sepse dimensioni i kësaj çështjeje është i tillë, që do të jetë vendimtar për të ardhmen e institucioneve evropiane. Deri më tani, vendimet që janë marrë kanë qenë pak a shumë unilaterale, duke mos pasur një qasje të përbashkët të BE-së. Kështu që e ardhmja e BE-së varet sa nga ata që kanë vullnetin të bashkëpunojnë dhe të gjejnë të paktën disa pika të përbashkëta të zgjidhjeve që lidhen me menaxhimin e fluksit të emigrantëve, po aq sa edhe një qasje të përbashkët që lidhet me burimet, se nga  ku dhe pse ato refugjatë po vijnë në Bashkimin Evropian. Çfarëdo që të ndodhë me të ashtuquajturin deri më tani “shtegu i Ballkanit”, duket sikur do të jetë më afër se sa është për momentin dhe në të ardhmen mund të prekë edhe Shqipërinë, ne, ashtu siç po prek aktualisht vendet e tjera të Ballkanit.

Institucionet e Bashkimit Evropian deri më tani kanë qenë të ngadalta për të kuptuar rrezikun që vjen duke mos trajtuar problemin në mënyrën e duhur, në mënyrën e BE-së. Duke pasur një lloj të kuptuari nga njëra anë hapjen  dhe nga ana tjetër mbylljen ndaj këtij fenomeni. Kështu që një lloj qasje e përbashkët është le të themi koordinimi dhe bashkëpunimi i disa vendeve anëtare të BE-së. Sllovenia si një anëtare e Bashkimit Europian e ka të vështirë të mbijetojë pa bashkëpunimin e vendeve të BE-së përballë krizës së refugjatëve. Dhe kjo ishte një nga arsyet pse Kryeministri ynë propozoi zgjidhjen në kufirin mes Turqisë e Greqisë dhe Maqedonisë dhe Greqisë. Nga njëra anë ky propozim parandalon konflikte të tjera në shtegun ballkanik në kufijtë midis shteteve. Nga ana tjetër, nëse vendet e tjera do të na mbështesin, do të kontribuojë në një lloj stabiliteti në rajon, por për këtë arsye, nevojitet bashkëpunimi nga vendet e tjera të BE-së dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar në union.

A i keni kërkuar apo a keni ndërmend t’i kërkoni Shqipërisë mbështetjen për kandidaturën e Danilo Turk për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB?
Z. Milan Brglez: Sigurisht, ky është një qëndrim zyrtar i qeverisë sllovene, që të propozojë si kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm në OKB, ish-presidentin tonë, Danilo Turk. Është e rëndësishme që rajoni i Europës lindore të ketë radhën e saj për të pasur një përfaqësues të sajin si sekretar të përgjithshëm. E shohim kandidaturën tonë si të besueshme, por së pari kërkohet një akord mes vendeve të rajonit, si edhe dakordësia e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois