LONDËR, 18 tetor /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik, David Cameron, paraqiti sot një plan prej pesë milionë sterlinash (6,8 milionë euro) për të ndihmuar organizatat lokale të luftojnë kundër propagandës së grupeve "ekstremiste" si Shteti Islamik (ISIS).
Kjo deklaratë vjen pas shpalljes së një strategjie të re kundër ekstremizmit, njoftuan shërbimet e ekzekutivit britanik në një komunikatë.
Qeveria Cameron shpreson të bllokojë makinerinë e propagandës së grupeve xhihadiste që përpiqen të rekrutojnë luftëtarë të huaj.
Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 700 britanikë kanë vajtur të luftojnë në rajonet e Sirisë dhe Irakut të kontrolluara nga ISIS-i, mes të cilëve 300 janë rikthyer në Britani të Madhe./










