LONDER- Të gjithë janë në pritje të ardhjes në jetë të banorit më të ri të pallatit mbretëror “Buckingham Palace” në Britani.
 
Mediat ndërkombëtare janë mbledhur jashtë spitalit të Shën Marisë në Londër ku Kate, dukesha e Kembrixhit, pritet që të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.
 
Kameramanë dhe fotoreporterë të shumtë janë mbledhur pikërisht pranë spitalit privat “Lindo Wing” ku Diana, Princesha e Uellsit, ka sjellë në jete princat William dhe Harry.
 
Midis tyre ishte edhe një gazetare kineze, e cila tha se ishte shumë emocionuar që po ndiqte nga afër këtë moment të rëndësishëm, njoftimin e lindjes së fëmijës së çiftit mbretëror.
 
"Kjo është një ngjarje e madhe në botë, çdo njeri madje edhe njerëzit aziatike, kanë një interes mbi ardhjen në jetë të fëmijës së princeshës Kate për shkak se njerëzit e duan familjen mbretërore," tha ajo.
 
Që kur shtatëzania e dukeshës Kate u zyrtarizua, filloi dhe puna e tabloideve. Parashikimet dhe spekulimet mbi seksin dhe emrin e bebes nuk kanë të reshtur. Kate dhe William kanë zgjedhur të mos e zbulojnë gjininë e fëmijës së tyre të parë në prag të mbërritjes së tij.
 
Gjithashtu shumë sondazhe janë hapur për emrin që mund të mbajë fëmija mbretërore ku tani për tani emrat më të mundshëm janë : Diana, John, apo James.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)