Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kap duke punuar në një fermë kanabisi të ngritur brenda një banese në zonën e Gorleston, Norfolk.
I riu Denis Kadiu, u zbulua nga policia i fshehur pas një muri të rremë në papafingon e shtëpisë.
Sipas mediave britanike, gjatë kontrollit në banesë, oficerët zbuluan 102 bimë kanabisi të shpërndara në katër ambiente të ndryshme. Ferma ishte e pajisur me sistem hidroponik, ndriçim të posaçëm, ventilim dhe pajisje të tjera profesionale për kultivimin e drogës.
Autoritetet vlerësuan se vlera e bimëve të pjekura arrinte deri në 250 mijë paund, ndërsa ambienti ishte përshtatur për të prodhuar disa cikle kultivimi.
Në seancën gjyqësore u tha se Kadiu ndodhej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishte një vendbanim të përhershëm. Ai kishte pranuar më herët përfshirjen në prodhimin e kanabisit.
Avokati mbrojtës, Rhys Higginson, deklaroi se i riu shqiptar ishte rekrutuar si “kopshtar” në fermën e kanabisit për të shlyer një borxh droge dhe për të siguruar të ardhura për mbijetesë. Sipas tij, Kadiu nuk kishte kuptuar plotësisht pasojat dhe rrezikun e përfshirjes në aktivitetin kriminal.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente





