Britania e Madhe po u kërkon qytetarëve të përgatiten për të përballuar të paktën tri ditë pa furnizime apo shërbime bazë, në rast të një sulmi kibernetik ose terrorist nga një shtet armiqësor, si Rusia. Qeveria britanike ka hartuar një fushatë informuese që u rekomandon familjeve të mbajnë në shtëpi rezerva uji, ushqimesh dhe sendesh të domosdoshme, si dhe një çantë emergjence në rast se duhet të largohen papritur nga banesa.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, paralajmërimi është dhënë nga ministri britanik Wes Streeting, i cili ngriti shqetësimin për pasojat që mund të kenë sulmet kibernetike ndaj bizneseve dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit.

“A janë familjet të përgatitura për sulme kibernetike gjithnjë e më të sofistikuara ndaj kompanive tona? A janë të përgatitura për ndërprerje të zinxhirëve jetikë të furnizimit, të shkaktuara nga shtete armiqësore apo terroristë? Si do t'ia dilnim nëse sistemi i pagesave në supermarkete do të dilte jashtë funksionit?”, u shpreh Streeting.

Qeveria britanike pritet të nisë gjatë muajve të ardhshëm fushatën “Be Ready” (“Jini gati”), përmes së cilës qytetarëve do t'u jepen udhëzime për përgatitjen e një kompleti mbijetese.

Në këtë komplet rekomandohet të përfshihen të paktën 9 litra ujë për person për tri ditë, si dhe ujë shtesë për gatim dhe higjienë. Familjet këshillohen gjithashtu të sigurojnë ushqime që nuk prishen dhe nuk kërkojnë frigorifer apo gatim, si konserva mishi dhe fruta të thata, batanije, dyshek gjumi, elektrik dore, radio me bateri, para cash, ilaçet e nevojshme dhe kopje të dokumenteve të identifikimit.

Ministri paralajmëroi se kërcënimet nuk janë më diçka e largët apo thjesht hipotetike. Ai tha se termi “luftë hibride” nuk e përcjell siç duhet natyrën e rrezikut, të cilin preferon ta quajë “terrorizëm shtetëror”.

“Përballë këtyre kërcënimeve, që nuk janë hipotetike, por reale, dhe që nuk ndodhen diku tjetër, por gjithnjë e më shumë këtu, duhet ta marrim seriozisht qëndrueshmërinë tonë kombëtare po aq sa sigurinë kombëtare”, deklaroi ai.

Udhëzimet kanë nxitur edhe kritika se qeveria po krijon alarm te qytetarët. Streeting i është përgjigjur kësaj duke theksuar se synimi është që njerëzit të jenë “të paralajmëruar, jo të alarmuar”.

Fushata do të shoqërohet edhe me përpjekjet e qeverisë për të bindur publikun mbi nevojën e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, duke zhvendosur miliarda nga fondet që përndryshe do të përdoreshin për shpenzime sociale.

Shqetësimet vijnë në një kohë kur mediat britanike kanë raportuar këtë javë se Rusia ka përdorur anije tregtare peshkimi për të spiunuar rrjetet e kabllove nënujore rreth Britanisë. Këto kabllo mbajnë pothuajse të gjithë trafikun britanik të internetit dhe dëmtimi i tyre do të kishte pasoja të rënda.

Një tjetër pikë e dobët është furnizimi me ushqime. Britania importon rreth 50% të produkteve ushqimore, çka e bën veçanërisht të ndjeshme ndaj ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit.

Sipas Corriere della Sera, për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që Londra i jep Ukrainës, Britania është shpesh objekt i propagandës dhe kërcënimeve nga Kremlini. Megjithatë, sulmet hibride, që mund të prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, konsiderohen më të besueshme sesa një sulm i drejtpërdrejtë.