LONDER- Rreth 600 përkthyes afganë, që kanë punuar për trupat britanike në Afganistan do t’iu jepet e drejta për të jetuar në Britani të Madhe, kanë konfirmuar burime qeveritare.

Përkthyesve të cilët kanë punuar në vijën e frontit për të paktën një vit ose më shumë, fillimisht do t’u ofrohet një vizë pesë-vjeçare.

Një burim i “Downing Street”, residenca e kryeministrisë tha se “propozimet do t’i japin përkthyesve një mundësi për të shkuar dhe punuar në Afganistan, për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tyre apo për të nisur një fillim të ri”.

Shumë prej përkthyesve të cilët do të ndihmohen thonë se “ata kanë marrë kërcënime serioze për jetën e tyre, për shkak të punës së tyre për forcat e huaja dhe kanë kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar azil politik”.

Edhe disa vende të tjera që kanë luftuar në Afganistan, përfshirë SHBA, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia kanë planifikuar që t’i japin azil politik disa prej përkthyesve që kanë punuar për forcat e tyre ushtarake.