Ministrja e brendshme britanike, Suella Braverman, paralajmëroi se emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në Britani rrezikojnë të pajisen me byzylykë elektronikë për lokalizim deri në largimin e tyre nga vendi.
Gjatë një interviste për “Sky News” zyrtarja britanike tha se është e gatshme të përdorë një “sërë opsionesh” në trajtimin e problematikës së emigrantëve që kalojnë Kanalin La Mansh me varka të vogla.
“The Times” më herët ka zbuluar një raport ku tregohet se Ministria e Brendshme po shqyrton çështjen e byzylykëve elektronike dhe formave të tjera të kontrollit.
Sipas mediave britanike, zyrtarët i shohin ato si një mënyrë për të ndaluar zhdukjen e emigrantëve që nuk strehohen në qendrat e paraburgimit. Braverman theksoi se po punon intensivisht për tu siguruar që britania të ketë atë nivel kontrolli ndaj emiograntëve saqë ti pengojë ata që të fshihen apo të largohen pasi të kenë hyre ilegalisht në vend.
Braverman pranoi se efekti i këtyre masave mund të jetë nevoja për më shumë qeli paraburgimi për ti mbajtur emigrantët aty, pasi skenari për ti dërguar në Ruandë u anulua pak muaj më parë nga Gjykata e Apelit.
“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të ndaluar anijet, ky është një premtim i kryeministrit, dhe po punojmë natë e ditë për ta realizuar”, tha Braverman.
Ajo ka akuzuar avokatët e emigracionit, organizatat bamirëse dhe OJQ-të, shumë prej të cilëve kanë lidhje me Partinë Laburiste” për pengesat ndaj planit të qeverisë për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në Ruandë.
Justin Madders, ministri në hije i Punësimit në Britani, kritikoi deklaratat e Braverman dhe tha se byzylykët elektronike mund tu vendosen vetëm kriminelëve të dënuar nga gjykata. Vitet e fundit Britania është përballur me një numër të madh emigrantësh të paligjshëm që hyjnë në vend përmes kanalit La Mansh, ndërsa në vitet 2022-2023, numrin me të madh e zënë shqiptarët.