Brokaj: Nano është një
politikan i pa princip

Brokaj: Nano është një<br />politikan i pa princip
Ish-anëtari i kryesisë së PS, ish-ministri i Mbrojtjes dhe një ndër anëtarët e komisionit të "të urtëve" pranë Ramës, Sabit Brokaj në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" ka folur për afrimin e Nanos, shpërndarjen e të deleguarve në bazë, për 21 janarin dhe për pamundësinë e një koalicioni mes PS dhe LSI.

Jeni një nga anëtarët e këshillit të të urtëve në PS. Si e konsideroni lëvizjen e fundit të Ramës për rishpërndarjen e re të të deleguarve nëpër qarqe?
Unë nuk do ta jepja mendimin, thjeshtë se janë anëtar i një këshilli të tillë, por do të flas si e shoh unë, nisur dhe nga përvoja kur kam qënë në strukturat drejtuese të PS. Unë e gjykoj që anëtarët e kryesisë së PS shkojnë në gjithë vendin për të passqyruar dhe mbrojtur në këto zona projektin e partisë. Madje do të thosha se jo vetëm i bën mirë PS, por dhe individëve. Mua më duket pak e çuditshme, madje nonsens për disa kundërshti që kanë lindur nga ky zhvillim. Së pari, të jesh anëtar i kryesisë së partisë nuk ka pse të jesh vetëm i një qyteti apo i një zone. Je i gjithë vendit dhe është në të mirën tënde që të prezantohesh cep më cep Shqipërisë si politikan. Kam parasysh ata që shohin larg, jo dritëshkurtërit që duan të shfrytëzojnë një moment të caktuar për përfitime në një zonë të caktuar. Kjo nuk e pengon deputetin që të jetë në zonën e tij, ti shërbejë asaj zone në të cilën është angazhuar dhe pastaj aktivitetin e tij politik ta shtrijë në të gjithë vendin.

Si veprohej më parë, kur ishit në strukturat drejtuese...?
Duke iu referuar përvojës, që nga krijimi i PS e deri në kohën kur unë ka qënë pjesë në këto struktura drejtuese për shumë vite, merrnim zona të caktuara në patronazh. Unë kam patur në patronazh shumë vite Veriun, deri në Peshkopi. Mocionin e Nanos nga burgu në ato vite e kam paraqitur në Tropojë. Disa vite kam pasur qarkun e Elbasanit, një nga më të mëdhenjtë në vend. Dua të them që s'kam lënë zonë të Shqipërisë pa qënë, megjithatë kam qënë deputet i Vlorës, i zonës së Labërisë.

Mendoni se përmirësohet puna e PS me këtë skemë?
Një politikan i cili synon të qëndrojë në politikë dhe të profilizohet, i duhet domosdo që të njohë vendin e ta njohë vendi. Ndaj e quaj të pakuptimtë fare, madje ndoshta e shohin një çikë ngushtë problemin që të kundërshtohen lëvizje të tilla në gjithë teritorin e vemndit, që janë realisht ripërtëritje të politikës dhe politikanëve në vetvete. Po sikur nesër Kodi të bëhet për proporcional të pastër kombëtar, ku do të venë këta deputetë. Do marrin votën vetëm tek zona e tyre, ku nuk i njeh pjesa tjetër e Shqipërisë. Natyrisht ata do kërkojnë dhe marrin vota që nga Tropoja e deri në Konispol, dhe për këtë duhet të njihen dhe të punojnë në të gjithë vendin.

Zoti Nano, ish-kryetar dhe ish-kryeministër i PS është caktuar i deleguar në Tiranë, ndërkohë që ka shfaquyr dhe ambicien për President. Mos është një shenjë afrimi kjo?
Unë dhe caktimin e shoh në një kuptim të pavënd, pasi atë nuk e ka ndaluar njeri. Nga ana tjetër e quaj të pavënd, pasi një njeri që ka votuar kundër partisë së tij nuk ke pse t'i thuash je këtu. Ai që aty, në këtë moment s'është i besueshëm për politikat e partisë së tij, pasi voton kundër partisë. Pra s'ka përse delegohet. Nëqoftëse ai vërtet ndjehet socialist, rrugën e ka të hapur, sepse nga posti që ka patur ai në parti i ka rrugët të hapura që të kontribuojë. Dhe kontributi që jep, vlen për atë që synon. Por duke parë sjelljen politike të Nanos, vetëm një politikë pa princip mund ta mbante Nanon aty, siç është ai pa principe. Sepse ai e ka larguar veten, i lëshoi votat dhe tani ti marrë te Saliu e të tjerët. Nuk e di ku do të ishte principi politik dhe moral që Nano të merrte votat e PS.

Komenti juaj për 21 janarin dhe vendimet e drejtësisë për të?
Qëndrimi i drejtësisë tek ne në çdo ditë tregon kalbësirën e vet. Një farë shprese ta jep për momentin Prokuroria, ndoshta jam nën emocionin e një interviste në të cilën u prezantua mjaft mirë Prokurorja e Përgjithshme, gjykoj se është një hap para niveli i prokurorisë. Përsa i përket gjykatave unë do të thoja: Mjerë ne. Vetëm po të marr faktin që nëse një shofer që bën aksident apo një vrasje aksidentale, hetimi bëhet në burg për autorin, vrasësit ushtarakë apo një Gjeneral Garde që akuzohet drejtpërdrejt për vrasje apo ato që fshehin krimin, lidhur me serverin etj, lihen në shtëpi. Të vendosim në një plan një vrasje aksidentale dhe një vrasje të tillë që trondit Evropën dhe jo vetëm Shqipërinë për mënyrën se si është kryer, është lehtë ta gjykosh se çfarë gjykate kemi ne. Natyrisht që në këtë degradim të drejtësisë, që po prezantohet më shumë tek gjykata se sa tek prokuroria, s'është lehtë të thuhet që Gjykata të vendoset në rrugën e drejtësisë. Por nuk e quaj të pamundur. Mjafton të heqësh presionin e politikës, mjafton ti sugurosh asaj pavarësinë që e ka me ligj por që se lejon politika, mjafton të jesh shumë ndëshkes në rastin e kompromentimit të gjykatave dhe gjykatësve të veçantë, dhe gjërat venë në vendin e tyre.

Po 21 janari...?
Përsa i përket 21 janarit, ajo që bën përshtypje ka të bëjë me personin kryesor që akuzohet aktualisht. Unë jam i bindur që nuk është urdhërdhënësi komandanti i Gardës. E kam të vështirë që ndaj faktit që arma e tij ka qëlluar drejtëpërdrejt, të vë në dyshim dhe dorën e tij. Po flas tani si një ish-oficer me përvojë. S'ndodh kurrë që një Gjeneral të nxjerrë pistoletën e tij apo të marrë kallashnikovin dhe tu thotë ushtarëve të tij të sulen. Deri te niveli i komandantit të batalionit mund të shkohet, komandantit të brigadës nuk i bie që të marrë kallashnikovin apo pistoletën, ai qëndron prapa në vendkomandë. Sepse humbja e komandantit është më e madhe se sa humbja e qindra ushtarëve. Aq më tepërt që komandanti i Gardës ka marrë pjesë në hartimin e ligjit, është personi që e njeh më mirë këtë ligj. Si është e mundur që ky njeri të qëllojë në bulevard. Ndaj thashë se nisur nga mentaliteti i një gjenerali malësor të qëllojë mbi fukaranë, kur e di ligjin dhe kur s'duhet të lejojë as ushtarin e tij, e bën çështjen komplekse, por jo të pazgjidhshme.

Mendoni se ka shanse për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Në 20 vjet janë dy momente në të cilën është gjendur keq Garda. Njëra që është vrarë vetë Garda, kam parasysh atë që ndodhi në Cërrik dhe tjetra që Garda vrau, kam parasysh atë që ndodhi më 21 janar 2011. Të dyja janë shkelje të rënda ligjore. Në Cërrik u dënuan vrasësit, por ende nuk është zbardhur kush urdhëroi lëvizjen. Nga ana tjetër Garda vret krejtësisht në mënyrë të paligjshme në mes të Tiranës dhe problemi ngatërrohet dhe stërhollohet për një vit, ndërkohë që do të thoja unë gjykimi i saj është fare i thjeshtë. Janë parë drejtëpdrejtë të gjitha lëvizjet, ligji është i qartë, dihet kur Garda qëllon, dihet kush urdhëron, u panë kush fshehu gëzhojat kush fsheh gjurmët. Pse duhet të vijnë ekspertët e FBI, të deklarohen ambasadorët më të fuqishëm ndërkombëtarë që të kihet kujdes me drejtësinë. Kjo vë në një pozitë jashtëzakonisht të dobët e të turpshme Shqipërinë. Kjo e baltos shumë Shqipërinë.

Një koalicion PS-LSI mund të risjellë të majtën në pushtet?
Unë koalicionin mes PS dhe LSI sot për sot e shoh të pamundur. Deri para disa ngjarjeve që kanë ndodhur më parë, një lëvizje politike e Metës drejt PS, do përbënte një rehabilitim të kësaj force politike. Në kuptimin që ai mund të justifikonte në një far mase lëvizjen djathtas me misionin e integrimit në BE. Por pas dështimit dy herë të integrimit, nuk mund të kesh më rolin e një misioni të dështuar, flas për afatet kohore. Kur dështon dy herë misioni për të cilin ke bërë lëvizjen mëse paradoksale, dështim me kosto të madhe për Shqipërinë, pasi shihen pasojat e kësaj qeverisje shumë të dëmshme për vendin, mund të thoshte se e bëra një lëvizje politike që nga e majta u kritikua rëndë dhe askush nuk më kuptoj, por që kisha një qëllim të caktuar. Dhe nëse ky mision në përbërje të kësaj qeverisjeje dështoi, kjo mund të ishte para këtyre ngjarjeve një mundësi që LSI të afrohej me PS. Aktualisht tani kjo lëvizje është bërë e pamundur. Si për Metën është e vështirë, ashtu dhe për PS është e vështirë ta pranojë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset