BRUKSEL - Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, po merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel. Gjatë takimit në fjalë, ministrat e Punëve të Jashtme të Aleancës, kanë trajtuar një gamë të gjerë tematikash, që nisin me identifikimin e objektivave që synohen të arrihen nga Samiti i ardhshëm i Aleancës, planifikuar për t´u mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar.
 
Ministrat e Punëve të Jashtme të Aleancës kanë diskutuar gjerësisht mbi të ardhmen e Aleancës, duke u fokusuar në çështjet e rëndësishme të axhendës së saj si Afganistani, partneritetet, forcimi dhe përmirësimi i kornizave ekzistuese të tyre, si dhe në këtë kontekst, përmirësimi  i ndërveprueshmërisë me partnerët dhe kapaciteteve ushtarake.
 
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka zhvilluar një sërë takimesh dy-palëshe me homologë të tij evropianë, ndër të tjerë, Ministrin e Jashtëm belg, Didier Reynders, Ministrin e Jashtëm rumun, Titus Corlatean, Ministrin e Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Garcia-Margallo, më të cilët janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, çështja e Integrimit të Shqipërisë në BE dhe zhvillimet në rajon.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)