Kthesë në Bruksel. Policia është ende në kërkim të “njeriut me kapele”, i dyshuari i tretë i sulmeve terroriste në aeroportin e Zaventemit.

Kështu personi i tretë nuk është gazetari i pavarur Faycal Cheffou , i arrestuar dhe më pas i lënë i lirë për mungesë provash. Cheffou u arrestua të enjten në Bruksel si i dyshuari i tretë për shpërthimin në aeroport.

Autoritetet belge kanë publikuar këtë të hënë videon në të cilën shfaqet terrorist i tretë i shpërthimit në aeroportin e Zaventemit në Bruksel, më 22 mars.
 
Në pamjet e shkëputura nga kamerat e sigurisë së aeroportit njeriu me kapele ecën së bashku me dy kamikazët e tjerë të cilët u hodhën në erë pranë check in-it të aeroportit.

Sipas policisë belge njeriu me kapele nuk është gazetari i pavarur Fayçal Cheffou i cili për mungesë provash është lënë i lirë.

Ndërkohë që policia është ende në kërkim të atentatorit të tretë, numri i viktimave ka arritur në 35 veta.