Bruksel, takohen kryeministrat
Thaçi e Daçiç, por s'ka marrëveshje

Bruksel, takohen kryeministrat<br />Thaçi e Daçiç, por s'ka marrëveshje
BRUKSEL- Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, janë takuar të premten në Bruksel për një rreth të ri bisedimesh mbi çështjen e gjyqësorit, por marrëveshje nuk ka.

Edhe ky rreth, si rëndom, është ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton.

Pas takimit,  Thaçi e ka cilësuar takimin si konstruktiv. 

"Ne kishim një takim konstruktiv. Është pajtueshmëri e plotë se duhet të jetë një sistem unik i drejtësisë, ndërsa marrëveshje nuk ka", ka thënë kryeministri i Kosovës, duke paralajmëruar se tani u mbetet ekipeve teknike të vazhdojnë punën e tyre.

Kryeministri serb, ndërkaq, Ivica Daçiç, ka shprehur keqardhjen e tij që "që pala e Prishtinës nuk i është përmbajtur qëndrimeve të grupeve punese", për të cilat ai tha se do të vazhdojnë punën e tyre, por që dy kryeministrat nuk do të takohen "ditëve të ardhshme". 

"Propozimet tjera që kanë ardhur nga ana e Prishtinës praktikisht nënkuptojnë që veriu i Kosovës të përfshihet në një hapësirë shqiptare, në të cilën shqiptarët do të përbënin 60-70 për qind të popullatës. Kjo për ne, thjesht, është e papranueshme", ka thënë Daçiç.

Daçiç e ka cilësuar qëndrimin e së premtes të Prishtinës si "manovër politike", duke thënë se pala kosovare ka "kërkuar që gjykata themelore në Mitrovicë të mbulojë shtatë komuna, kurse Beogradi ka kërkuar që nëse duhet të ketë një gjykatë, atëherë ajo duhet të jetë në dy ndërtesa, një në jug, e tjetra në veri të Mitrovicës".

Në takimin e javës së kaluar, palët kanë arritur përparim për çështjen e policisë, përkatësisht integrimit të strukturave jolegale në Policinë e Kosovës.

Bashkimi Europian e pati cilësuar si vendimtar këtë takim, marrë parasyshë se nga ky përparim do të varet edhe raporti që baronesha Ashton do të përpilojë për shtetet anëtare të BE-së, për të vlerësuar suksesin në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë duke u konsultuar edhe për formulimin e kornizës negociuese, e cila duhet të miratohet para se të nisin negociatat me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike, pritet që në këtë kornizë edhe një herë të nënvizohet se normalizimi i marrëdhënieve ndërmejt Serbisë dhe Kosovës, do të mbetet kusht për Serbinë gjatë tërë procesit të negociatave.

Takimi i 13 dhjetorit është i dyti që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të organizuara nga institucionet kosovare, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane