BRUKSEL, 21 shkurt /ATSH-AFP/ - Ministri grek i Financave, Janis Varoufaqis konfirmoi sot se marrëveshja me zonën euro për një zgjatje me katër muaj të programit të ndihmës financiare ishte etapa e parë që do t'i mundësonte Athinës të linte pas vetes memorandumin.
"Greqia la prapa memorandumin dhe bëhet bashkëpunëtor për reformat dhe fatin e saj", theksoi Varoufaqis në përfundim të një takimi të Eurogrupit që mundësoi gjetjen e menjëhershme të një kompromisi të nevojshëm për mbajtjen e vendit të tij në zonën euro.
Zona euro vendosi të zgjasë me katër muaj planin e ndihmës financiare të Greqisë, nën kushte, veçanërisht që Athina të paraqesë deri të hënën një listë reformash që duhet të miratohen nga kreditorët.
"Do të paraqesim, në formën e tabelave, një listë reformash që duhet të bëjmë për katër muajt e ardhshëm. Institucionet do të japin mendimin e tyre të martën ose të mërkurën", theksoi Varouqakis.
"Në fund të katër muajve, ne do të gjykohemi për zbatimin e reformave", shtoi ai duke u kërkuar partive të tjera politike greke të marrin pjesë.
Ministri grek theksoi se kjo listë që do të paraqitet të hënën nuk do të përfshijë asnjë reformë mbi pensionet dhe tregun e punës.  Ky plan parashikon luftën kundër imunitetit dhe evazionit fiskal."Angazhimi ynë është për të rritur pagën minimale (...) në mënyrë që të rrisim konkurrencën dhe ne do ta bëjmë këtë nëpërmjet bisedimeve. Ne synojmë për ta negociuar këtë me institucionet," shtoi ai./
/ec/