/ATSH-E,Xhajanka/- Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të tablosë së faktorëve që ndikojnë në inflacion, duke e mbështeur këtë në përmirësimin e ekonomisë dhe në sajë të politikës monetare stimuluese që ka ndërmarrë.

Sipas BSH-së, inflacioni rezultoi në vlerën 1.7% në muajin nëntor, duke shënuar rritje krahasuar me muajin paraardhës. Rritja e inflacionit gjatë këtij muaji erdhi si pasojë e kontributit më të lartë të kategorive të ushqimeve të përpunuara, të barnave dhe të qirasë, ndërkohë që kontributi i kategorive të tjera të shportës mbeti relativisht i pandryshuar nga një muaj më parë.

Lëvizja e inflacionit në kahun rritës ishte në përputhje me pritjet e Bankës së Shqipërisë, por vlera e tij ishte në zonën e poshtme të parashikimeve. Inflacioni pritet të shënojë rritje graduale gjatë muajve të ardhshëm, por balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste mbetet e zbehtë. Analizat tona ekonomike dhe monetare tregojnë se rikthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të realizohet në një periudhë afatmesme.

Banka Qendrore vëren se, vlerat e ulëta të inflacionit gjatë tremujorëve të fundit reflektojnë presione të dobëta, si nga kahu i kërkesës dhe nga ai i ofertës.
Ndonëse në rritje, kërkesa e brendshme shfaqet ende e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese në ekonomi. Burimet e pashfrytëzuara në tregun e punës dhe të kapitalit, si dhe pritjet për norma të ulëta inflacioni, ndikojnë në rritjen e ngadaltë të pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit. Kjo dinamikë reflektohet në nivelet e ulëta të inflacionit bazë. Paralelisht me të, inflacioni në vendet partnere shfaqet i moderuar dhe përcjellja e tij në tregun e brendshëm frenohet nga dobësia ciklike e kërkesës. Së fundi, zgjerimi monetar dhe situata e likuiditetit në ekonomi është në linjë me nivele të ulëta inflacioni.