TIRANË, 20 Shkurt /ATSH/- Banka e Shqipërisë raporton se në sistemin bankar janë të regjistruara 2.9 milionë llogari bankare, shifër kjo përafërsisht sa ç'është edhe numri i popullsisë rezidente në vendin tonë.
Numri i llogarive bankare ka një tendencë të qëndrueshme në rritje, çka tregon forcim të kulturës financiare dhe krijimin e një marrëdhënie bazike me bankën.
Struktura e ndarë e llogarive, mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, evidenton se janë afërsisht 2.73 milionë llogari të individëve dhe mbi 160 mijë llogari në emër të bizneseve. Gjatë vitit 2014 numri i llogarive bankare u rrit me 7%, ndërsa në harkun e dy viteve rritja ishte rreth 11%. Ekspertët e fushës gjykojnë se rritja e numrit të llogarive bankare tregon për një përdorim më të madh të shërbimeve dhe produkteve financiare në ekonomi. Sipas tyre është faktor i formalizimit të ekonomisë dhe të pasurit e një llogarie mundëson kryerjen e transfertave dhe pagesave direkte, qoftë nga sportelet e bankave apo përmes instrumenteve automatike të pagesave, si kartat apo internet dhe mobile banking.  e,xh//m.m/