BSH: Tremujori i 4-t i 2011
bankat ulën kreditimin

BSH: Tremujori i 4-t i 2011<br />bankat ulën kreditimin
TIRANE- Banka e Shqipërisë ka publikuar sot rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues bankar gjatë tremujorit të 4-t në Republikën e Shqipërisë. Sipas raportit përkatës Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e katërt të vitit 2011 tregojnë se standardet e kredisë për bizneset janë shtrënguar më tej, ndërsa ato për individët kanë mbetur të pandryshuara nga tremujori i kaluar. Bankat kanë shtrënguar standardet e kredidhënies në një masë më të madhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për kredinë për qëllime të financimit të kapitalit qarkullues. Ndryshimi i standardeve ka qenë i një shkalle më të ulët për korporatat dhe për kredinë për qëllime investimi.

Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese, janë situata e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku operon biznesi dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Faktorët që dhanë kontribut për shtrëngimin e standardeve të kredisë dhënë individëve janë gjendja financiare e tyre, kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Niveli i konkurrencës dhe gjendja e likuiditetit janë faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve.

Kërkesa e bizneseve për kredi është përmirësuar pak në tremujorin e katërt të vitit 2011, megjithëse balanca neto e saj mbetet dukshëm negative. Balanca neto e kërkesës së individëve për kredi ka vijuar prirjen rënëse të filluar në tremujorin e parë, duke shënuar vlerën negative -5.6 në tremujorin e katërt të vitit 2011.
Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve pa bërë dallime për llojin e kredisë dhënë për kapital qarkullues apo për investime. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, se sa atë për ndërmarrjet e mëdha. Pritjet për kërkesën e bizneseve vijojnë të jenë pozitive. Bankat në përgjithësi nuk presin ndryshime të standardeve për kredinë dhënë individëve, në tremujorin e parë të vitit 2012, krahasuar dhe me nivelin e tremujorit të fundit të vitit 2011 dhe me pritjet e tyre të shprehura në tremujorin e kaluar. Pritjet për kërkesën e individëve për kredi, në tremujorin e parë të vitit 2011 janë optimiste.
Kredia për bizneset
Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar prirjen shtrënguese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011, të nisur në tremujorin e dytë të këtij viti. Balanca neto2 e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve shënoi vlerën 16.0%, rreth 6 pikë përqindjeje më e lartë se një tremujor më parë. Ndryshimi aktual i standardeve është në të njëjtin drejtim me pritjet e shprehura nga bankat në vrojtimin e mëparshëm, por në një masë më të lartë. Shtrëngimi i standardeve u zbatua për të dy kategoritë, për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe për ndërmarrjet e mëdha. Balanca neto e bankave që kanë raportuar për lehtësim të standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është -16.0 %; rreth 10.6 pikë përqindjeje më e ulët krahasuar me tremujorin e kaluar. Në të njëjtën linjë, balanca neto e standardeve për kredinë dhënë bizneseve të mëdha u përkeqësua me 7.2 pikë përqindjeje, në tremujorin e katërt të vitit 2011. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë shtrënguar si për kredinë e marrë për financimin e kapitalit qarkullues ashtu edhe për atë për qëllime investimi. Balancat neto u ulën me përkatësisht 14.9 dhe 16 %. Faktorët me kontributin kryesor për shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të katërt të vitit 2011, qenë: gjendja e huave me probleme në sistemin bankar; situata makroekonomike në vend; dhe problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja. Në të njëjtin drejtim kanë ndikuar mjaftueshmëria e kapitalit, gjendja e likuiditetit dhe konkurrenca në sistemin bankar.
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor