TIRANE, 5 Korrik /ATSH/- Banka e Shqipërisë, bën të ditur se interesi mesatar i kredisë, për të gjitha maturitetet, në pesëmujorin e parë të këtij viti ishte 8.9%, nga 10.9% që ishte në pesëmujorin e parë 2013.
Ulja e interesit mesatar të kredive me 2 pikë përqindje tregon se kursi lehtësues i politikës monetare po transmetohet edhe në interesat e huave.
Në gjykimin e ekspertëve normat e ulëta të interesit janë një element shumë i rëndësishëm për të ulur koston e investimeve të reja në ekonomi dhe për të favorizuar rritjen e kërkesës.
Për ata sipërmarrës që kanë projekte të besueshme, sistemi bankar sot mund të ofrojë norma interesi shumë më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme.
Sipas bankierëve, bankat i investojnë kursimet kryesisht në bono qeveritare, por ulja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm dhe konkurrenca e lartë për blerjen e tyre nga investitorët i ka ulur edhe interesat e këtyre instrumenteve në vlerat minimale historike. e,xh/f.n/