Bujar Nishani: PD në situatën më kritike që prej vitit 1997! Basha na thirri për të analizuar gjysmën e së vërtetës

Bujar Nishani: PD në situatën më kritike që prej vitit 1997! Basha na thirri për të analizuar gjysmën e së vërtetës

Lulzim Basha dhe Bujar Nishani

Fjala në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike e Bujar Nishanit

Kjo mbledhje e KK zhvillohet në një prej situatave më kritike e delikate të PD që prej situatës së vitit 1997. PD sot ndodhet në një situatë dramatike, dëshpërimi, zhgënjimi, udhëkryqi por dhe momenti historik.

Së pari dua të shpreh simpatinë, solidaritetin, mirënjohjen time për të gjithë kandidatët tanë për deputet, për betejën e pabarabartë të zhvilluar, mbi të gjitha për demokratët dhe aktivistët tanë të shtabeve elektorale, komisionerët, numëruesit strukturat e partisë në bazë, për sakrificat e bëra në një betejë elektorale jo vetëm anormale por me një regjim gangsterësh.

Ditën e parë të mbledhjes së këtij Këshilli, kur dhe më nderuat me postin e Kryetarit ju jam drejtuar me fjalët : se përballë kemi një regjim gangsterësh dhe na pret një beteje dhe jo konkurrencë normale politike. Sot për fatin e keq të secilit prej nesh, të çdo demokrati, për fatin e keq të vet Shqipërisë, ne nuk mundëm të fitojmë këtë betejë elektorale dhe kemi dalë pas 25 prillit pa asnjë ndryshim për Shqipërinë.

Sot Shqipëria ka mbetur e humbur, ka mbetur peng i të njëjtit regjim që do të vijojë të kontrollojë dhe vendosë fatet e këtij vendi edhe për 4 vitet e ardhshme, pavarësisht skandaleve, dështimeve, korrupsionit e shkatërrimit te shtetit prej 8 viteve të shkuara.

Sot jemi thirrur nga Kryetari i Partisë për të analizuar masakrën elektorale. Po, masakra elektorale që ka ndodhur është e vërtetë por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Është gjysma e të vërtetës së hidhur që i atribuohet krimit elektoral shkaktuar nga pushteti zyrtar dhe shteti paralel ngritur po nga pushteti, por gjysma tjetër e të vërtetës, po aq të hidhur, është dështimi ynë për të fituar, ç'ka përbën pjesën tonë të përgjegjësisë. Sot jemi thirrur për të analizuar vetëm gjysmën e parë të së vërtetës. Por gjysmë e vërteta nuk është kurrë e vërteta!

Gjithsesi, si gjysma e parë e të vërtetës ashtu dhe gjysma e dytë e saj, pra e tërë e vërteta nuk mundet të analizohet, gjykohet e konkludohet drejt, plotësisht dhe saktë nga ky institucion i nderuar dhe më i larti në hierarkinë e PD përpara se kjo situatë e sotme të analizohet e gjykohet nga baza e partisë, nga demokratët e terrenit, njerëzit e vijës së parë të betejës.

Ata dhe vetëm ata e njohin të vërtetën më mirë e më drejt se cilido prej nesh ne këtë sallë.

Ata dhe vetëm ata do vijojnë të jenë humbësit e mëdhenj, pa punë, pa bukë, pa mundësi për të patur një biznes, të përbuzur e abandonuar nga zyrat e shtetit vetëm e vetëm pse janë demokratë në bindje dhe anëtarë të kësaj familje.

Kjo sepse beteja jonë nuk nisi e nuk mbaroi më 25 prill. Beteja me bandën e masakrës elektorale të 25 prillit ka nisur që prej shtatorit të vitit 2013 dhe do të vijojë deri sa ta rrëzojmë politikisht.

Pse analiza duhet të nisë tek demokratët e terrenit, tek anëtarësia, tek nukli, tek e vërteta më e madhe e PD?

Për shumë arsye, por mbi të gjitha sepse analiza e shkaqeve, faktorëve, arsyeve që nuk arritëm të fitonim nuk është uniforme, nuk është unike në të gjithë territorin.

Shkaqet dhe arsyet e mosfitores në Tiranë janë të ndryshme nga ato të Gjirokastrës, ato të Korçës të ndryshme nga të Beratit, ato të Durrësit të ndryshme nga ato të Elbasanit, e kështu me radhë. Ndaj objekti i kësaj mbledhje nuk është as plotësisht i duhuri dhe as në kohën e duhur.

Padyshim që analiza përfundimtare dhe konkluzioni përfundimtar do të bëhet këtu, në këtë forum, por vetëm pasi të kemi dëgjuar ata që bëjnë të mundur ekzistencën e kësaj partie. Strukturat, bazën e Partisë.

Të nderuar anëtarë të KK, situata sot në bazën e partisë është dramatike ! Demokratët janë të dëshpëruar, zemërthyer e besim humbur si asnjëherë më parë, që pas humbjes që pësuam në 2013. U dëshpëruan kur u zhgënjyen nga dështimi i protestës në Çadrën e Lirisë por e rikuperuan atë. U dëshpëruan nga marrveshja e Majit 2017 me Edi Ramën dhe humbja e atyre zgjedhjeve, por e rikuperuan atë ! U dëshpëruan nga dështimi i aksionit politik që nisi me djegjen e mandateve në Parlament , por e rikuperuan edhe atë! U dëshpëruan nga dështimi dhe kosto e madhe politike që morën nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 2019, por përsëri e rikuperuan atë. Sot dëshpërimi është i një përmase të paimagjinueshme !

Kush nuk e njeh këtë situatë që është në bazë, nuk e njeh fare realitetin e nuk mundet kurrsesi të gjykojë në emër të atyre njerëzve atje, nuk mundet të gjykojë punën e tyre, sakrificat e tyre, problemet që ata hasën e u përballën në këtë betejë. PD ka paraqitur sot ankimimet e saja, pretendimet e saja, provat që gjykon për masakrën elektorale.

Kjo është normale dhe shumë mirë që është ndërmarre ky proces. Por ky është një proces që ne vetëm e iniciojmë, e prezantojmë! Nuk jemi ne që e shqyrtojmë, që e gjykojmë dhe që vendosim për të. Ky është një proces që i takon atyre institucioneve dhe mekanizmave që janë ngritur me dakordësinë, angazhimin dhe miratimin edhe të PD. Ajo që ne mund të bëjmë sot është gjykimi i fakteve politike që as i ndryshojmë dot e as i kundërshtojmë dot.

Po rendis disa prej tyre;

Më 25 prill vetëm 46% e votuesve shqiptarë u sensibilizuan, u bindën e u angazhuan në pjesmarrjen e votimeve.

Historia e ndryshimeve të forta politike kudo ka treguar se kur populli është i motivuar thellësisht për ndryshimin, ai derdhet si dallgë në qëndrat e votimit për të bërë ndryshimin.

Ne vetë e premtuam këtë gjatë fushatës elektorale.

Por dështuam ta realizojmë dallgën popullore për ndryshim !

PD me formulën elektorale që u paraqit arriti të marrë më shumë vota se në 2017 por përsëri më pak se në 2013 kur humbëm, e lamë pushtetin dhe shumë njerëz morën përgjegjësitë personale politike ne këtë parti.

Pas 25 prillit maxhoranca socialiste mbajti përsëri 77 mandate sa kishte në 2017. Pas 8 vitesh qeverisje plot skandale, korrupsion e urrejtje popullore ndaj PS, PD rezulton 9,5 pike % poshtë PS. Pra përsëri parti e dytë me diferencë të madhe. Qartazi PS e shtoi thesin e saj elektoral me vota të blera, me përdorimin e pushtetit, parave, krimit etj etj, por ne nuk arritëm ta mbushim thesin tonë elektoral për të qënë fitues.

Në zgjedhje ose fiton ose humb ! Në mes nuk ka ! Ne po e nisim legjislaturën e shtatorit të 2021 atje ku e lamë legjislaturën e shkurtit të 2019. Pra, thjesht jemi kthyer 2,5 vite pas ! U dhanë garanci demokratëve se vota e shqiptarëve nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk e mbajtëm fjalën! Deklaruam se fitorja është në kuti, kur procesi i votimit u mbyll. I gënjyem demokratët!

Ne ju prezantuam e premtuam demokratëve por dhe shqiptarëve përpara këtyre zgjedhjeve, risi politike, program të detajuar qeverisës, model evropian të funksionimit të institucioneve shtetërore pasi drejtimin e vendit ta merrte PD .

Njëra prej këtyre risive ishte Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave për deputet. Pranova kërkesën dhe lutjen për tu angazhuar në këtë komision me vetëdijen e plotë politike e qytetare për të marrë përsipër çdo përgjegjësi, por me seriozitetin më maksimal.

Koshient, që çdo përgjegjësi më mirë të kalonte tek ne anëtarët e atij komisioni se sa tek Kryetari i Partisë i cili kishte paguar një kosto të madhe politike në 2017 me listën e kandidatëve.

Caktimi ynë në atë komision, kompetencat dhe tagri ynë, metodika e punës e gjithshka bëmë ishte përcaktor me vendim e votim të kryesisë së PD dhe këtij Këshilli.

Vendimet e atij komisioni mund të kenë qenë tërësisht të gabuara por një lider partie nuk takon veçmas të pakualifikuarit e ju deklaron se ai komision nuk ka asnjë vlerë dhe se cdo njeri në këtë parti kontratën e ka vetëm me Lulzim Bashën. Kjo është e turpshme !

Kryetari i Partisë mund ta konsideronte të dështuar punën e atij komisioni dhe kishte të gjithë tagrin të thërriste Kryesinë e KK e të anulonin të gjitha vendimet e tij, të anulonin vetë komisionin e të kryente një proces tjetër.

Lideri është lider, sillet me burrni, kurajo, transparencë dhe institucionalizëm! Jo me kulisa e as me kontrata personale! Përndryshe shqiptarët nuk të besojnë e nuk të votojnë! Kushtetuta e PD (Statuti) thotë se kandidatët për deputetë miratohen nga Kryesia dhe KK.

Miratimi realizohet përmes prezantimit të tyre para Kryesisë e KK, diskutimeve për ta e votimit nominal të tyre. Leximi rendor i listës pa asnjë mundësi njohje të shumë prej tyre, pa diskutime e pa procedurën e votimit nuk është miratim.

Kur shqiptarët të shohin se ti nuk përfill e as nuk zbaton kushtetutën e partisë kurrë nuk do të besojnë se ti do të respektosh nesër si qeveri Kushtetutën e shtetit. Ndaj nuk të besojnë e as të votojnë!

Strukturat e PD, shtabet elektorale nga QV e deri tek shtabi në nivel dege e qarku u lanë pa asnjë financim e pa asnjë mbështetje logjistike në një fushatë ku kundërshtari ynë politik qarkullonte miliona e miliona në infrastrukturën dhe trupën e vet elektorale, ca si burime të ligjshme e ca si të paligjshme. Ne kemi eksperienca elektorale dhjetëra vjeçare në këtë parti. Në 2021 PD është më e pasur se në të gjithë vitet e së shkuarës kur kemi qenë në opozitë. Kjo është e pafalshme!

Askush të mos harrojë se e majta ka formimin gjenetik, ambicie strukturore dhe platformën politike për ta dekompozuar alternativën politike kundërshtare të saj. E vetmja alternativë serioze kundërshtare politike e saj, të paktën sot për sot, është PD! E majta do të përdorë të gjitha mekanizmat, format dhe platformat e mundshme ta bëjë te paqenë PD edhe pse ajo do të figurojë formalisht në sfondin politik si subjekt politik. Kjo nuk do të jetë thjesht fitore e së majtës por do të jetë përgjegjësi e rëndë politike dhe turpi historik i gjeneratës sonë, nëse e lejojmë të ndodhë!

Kam menduar gjithmonë se kemi dy rrugë të përballjes me Edi Ramën. E para të mobilizojmë grupe force për tu përplasur me grupet kriminale të tij. Në gjykimin tim kjo nuk do te ishte e suksesshme, pasi në çdo rast shumica e të “fortëve” rreshtohet me pushtetin kur ai i thërret e mbi të gjitha përplasja civile nuk ka fitues për shqiptarët. Rruga e dytë, do të ishte mobilizimi dhe fitimi i besimit dhe angazhimit të shumicës dërrmuese të votuesve ditën e zgjedhjeve në kutitë e votimit.

Ne edhe më 25 prill nuk e arritëm këtë, që ishte e që mbetet e vetmja alternativë e jona për të fituar! Shqipëria mbeti përsëri sot peng i një pushteti të inkriminuar, manipulativ e jashtë standardeve normale demokratike. PD sot flet për një masakër elektorale. Plotësisht dakord! Por e pamjaftueshme, e paqartë dhe jo ezauruese për opinionin e demokratëve së pari dhe për të gjithë opinionin në përgjithësi. PD duhet të shprehet qartë, i njeh apo nuk i njeh institucionet e dala nga kjo masakër elektorale. A e njeh PD një Parlament të dalë prej kësaj masakre dhe a do të jete pjesë e legjitimimit të atij Parlamenti. A e njeh Qeverinë e dalë prej kësaj masakre elektorale dhe a do të behet palë e bashkejetesës politike me të qoftë edhe si opozitë ?

Demokratët presin një qëndrim të qartë dhe pa dredha për këtë ! Ajo që më takon mua të them sonte në këtë mbledhje si konkluzion paraprak ka të bëjë me faktin e pakontestueshëm. Pasi nuk fituam dot në këto zgjedhje; na duhet të reflektojmë fort, të ndryshojmë katërcipërisht, të reformohemi tërësisht, të ringrihemi fuqimisht, të rritemi masivisht e vetëm kështu do të jemi gati të fitojmë ! Ky eshte momenti! E vetmja alternativë është nisja e një projekti të ri politik!

Kam kërkuar dhe përsëris më së pari Dorëheqjen e parevokueshme të Kryetarit të Partisë! Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit është akt i përgjegjësisë politike, është akt i maturimit politik, është akt civilizimi, është sakrificë personale për ti shërbyer interesit madhor të së ardhmes së partisë. Është akti që verifikon se interesi i Partisë është mbi interesin personal të cilitdo individ që është kryetar.

Thirrja ime për këtë akti civil prej z. Basha është pikërisht si një shërbim që z, Basha ka për detyrim ti bëjë Partisë Demokratike. Procesit të së ardhmes së saj. Po a e zgjidh pikën kritike vetëm ky akt për PD. Jo, natyrisht që jo. Por është një hap që relakson kaosin e shkaktuar nga humbja e besimit se PD mund të fitojë zgjedhjet dhe pushtetin një ditë! Eshtë një hap që tregon se PD mund të vijojë të ringrihet mbi modelin dhe praktikën evropiane, se ne mund të bëhemi një Shtëpi e Madhe e Lirisë!

Kjo kërkon të hyjmë në një proces jo të lehtë, jo të shkurtër por të domosdoshëm reformimi. Nevojitet menjëherë të ngrihet një komision i besueshëm, me integritet, me eksperiencë dhe përfshirës për të drejtuar e menaxhuar këtë proces. Duke filluar me hapjen e analizës në bazën e partisë nga seksioni deri tek dega.

Të nisë puna për një statut të ri ku të rikonsiderohet tërësisht procedura dhe formula e zgjedhjes së Kryesisë së partisë dhe Këshillit Kombëtar. Të krijohet Senati i partisë përveç Kryesisë e KK. Të futet institucioni i Referendumit në parti. Procesi i seleksionimit të kandidaturave për kryetar dege, kandidat për kryetar bashkie, kandidat për deputet dhe këshilltar lokal, të kalojë përmes sistemit të primareve dhe jo modelit të “fundoreve” që u përdor në rastin e fundit.

Të sanksionohet dorëheqja e parevokueshme e kryetarit te partisë në rastin e humbjes në zgjedhjet parlamentare. Drejtuesit e degëve dhe kryesitë e tyre të kalojnë në një proces votbesimi pasi lista e anëtarësisë të jetë korrektuar dhe përfshirë të gjithë anëtarët e partisë. Koncepti i “listës së anëtaresisë aktive” është model manipulativ dhe na barazon me atë model manipulativ për të cilin ne sot po denoncojmë Edi Ramën ! Së fundi të konkludojmë përmes një procesi të hapur, të drejtë, demokratik e të barabartë për zgjedhjen e lidershipit të ri të partisë.

Natyrisht që mund të pasurohet ky proces ringritje me propozime të shumta që nga baza e deri tek KK, por ajo që mbetet detyra jonë kryesore sot e mot është ringritja e partisë e cila sfidën e saj më të madhe e ka dhe do ta ketë me besimin   Pa fituar besimin tek vetvetja nuk do mundemi dot kurrë të fitojmë besimin tek shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe kjo parti të bëhet edhe njëherë Shtëpia e Madhe e Lirisë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha garantohet

Kushtetuesja tha garantohet "vota parapëlyese në 2/3 e listës", shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive