“Le të thotë ai që është bërë qesharak,se ma vodhën programin”, - tha Berisha,- “le të thotë ç’të dojë, por nesër Qeveria do të heqë tvsh-në e të gjitha importeve dhe gjithçkaje tjetër që ju blini në tregun shqiptar për të rritur prodhimin bujqësor”.
Kryeministri ishte në fshatin Ruzhdije për të përuruar rrugën që e lidh atë me Fierit. “ Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në Ruzhdije rreth 10 km rrugë”, - tha Berisha, “dhe jemi të vendosur që gjatë 3 viteve që vijnë të asfaltojmë çdo metër në këtë komunë.
Rruga që sapo inaguruam është investim i FSHZH-së nga buxheti i qeverisë dhe i donatorëve me vlerë120 milionë lekë. Ne po ndërtojmë edhe shkollën 9-vjeçare, edhe ujësjellësa e sisteme kanalizimesh. Së shpejti do investojmë këtu për ujitjen e pemëtoreve dhe tokave tuaja sepse qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për suksesin e fermave tuaja. Në këto vite ne kemi investuar në rrugë, sepse pa rrugë nuk ka treg.
Ju jap fjalën se 4-vjeçari që vjen do jetë investimi i vaditjes më moderne që ekziston. Ne besojmë se në rast se gjatë këtyre viteve është arritur që eksportet të rriten nga 66 milionë dollarë që ishin 2005, ato u rritën në 154 milionë dollarë në 2012-ën. Bindja më e thellë është se prodhimi dhe eksporti duhet të 10-fishohet, por kjo kërkon vaditje, kërkon teknologjitë më të avancuara”.
“Në rrethin e Fierit”, - theksoi Berisha, -“gjatë këtyre viteve ne kemi investuar 620 milionë euro, me të cilat janë punësuar mijëra e mijëra qytetarë të Fierit; Kemi ndërtuar 560 km rrugë, nga të cilat autostrada dhe rrugë kombëtare rreth 235 km. Së shpejti nis edhe ndërtimi i “bypass”-it të Fierit prej 38 milionë eurosh dhe janë në ndërtim, rruga Rroskovec-Kurjan, Fiershegan-Kozarë, Lushnje-Hysgjokaj etj. Ne do bëjmë gjithcka që ju të keni infrastrukturën më moderne".
"Mora një mesazh në Fb, një nga miqtë e mi më thoshte: “Z.Kryeministër, po këto janë bërë me paratë e popullit!" Po, - i thashë, -që nga rroga ime, çdo gjë është djersë e popullit. Po nëse para vitit 2005, raporti i Bankës Botërore thoshte se 1.4 miliardë lekë në vit përfundonin në xhepat e kontrabandistëve e zyrtarëve, në këto vite ne kemi mbledhur 9.2 miliardë më shumë nga këto para të popullit, me të cilat ne shtruam mbi 10 mijë km rrugë dhe vetëm në qarkun e Fierit shtruam 560 km, rritëm 120-150 % rrogat e mësuesve, dyfishuam pensionet në fshat. Pra mik, populli dhe paratë aty ishin, po shkollat e rrugët nuk ndërtoheshin, pensioniet nuk rriteshin; pra, ku shkonin ato?! Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush që do bëjmë gjithçka që taksat tuaja t’i shndërrojmë në mirëqënie për ju. Në një kohë kur të tjerët shpreheshin nëpër televizore se Berisha fiton me votat e eskimezëve, u them atyre se nuk kanë gjak shqiptari”.
“Po shkojmë drejt zgjedhjeve”, - përfundoi kreu i Qeverisë. –“Do bëjmë gjithçka për të bindur çdo banor të kësaj komune që sëbashku të ecim përpara, se ne jemi ndryshimi: rruga që ndërtuam, kanalet që ndërtuam janë ndryshimi, shkolla që ndërtuam është ndryshimi, Shqipëria në NATo është ndryshimi. Ne votat i kërkojmë që katër vitet që vijnë të përsërisim sukseset që patëm në katër vitet që shkuan. E keni dëgjuar atë që është bërë qesharak: ma vodhën programin, thotë, ma vodhën! Po fundi i fundit, ai të thotë ç’të dojë, sepse ne po hartojmë një program të shkëlqyer e me një vendosmëri të madhe do ta bëjmë atë realitet”.
Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)