DIVJAKE - Kreu i Kuvendit Ilir Meta i shoqëruar edhe nga Ministri i Bujqësisë Edmond panariti ishte sot në Divjakë ku përuroi një kompani të grumbullimit dhe eksportimit të produkteve bujqësore shqiptare.

Në fjalën e tij Kreu i Kuvendit Meta vlerësoi punën e kompanisë, duke e cilësuar një shembull dhe një shkollë për të gjithë punonjësit dhe drejtorët e bujqësisë në të gjithë vendin. Sipas Metës kjo kompani tashmë eksporton në 19 vende të kontinentit duke përmirësuar edhe imazhin e vendit dhe produktet shqiptare.

Meta bëri apel për të gjithë fermerët dhe punonjësit e bujqësisë që të shfrytëzohet në maksimum toka, të cilën e cilësoi të jashtëzakonshme dhe që sipas tij mund të ofrojë produkte me cilësi duke sjellë edhe rritjen e mëtejshme të eksporteve.

“Përgëzimet më të përzemërta për këtë sukses të jashtëzakonshëm të arritur në këtë kohë rekord. Ne kemi qenë para 1 viti dhe ishte një qendër grumbullimi edhe pse lider në grumbullimin dhe prodhimin. Sot falë mbështetjes së dhënë por edhe vizionit të kësaj qendre, kemi një qendër krejtësisht të re. Kapacitet grumbulluese janë 3 fishuar.  Kjo kompani eksporton në 19 vende, të BE, rajonit dhe të gjithë kontinentit. Jam i sigurt se me këtë investim, kjo kompani do të arrijë të fuqizohet akoma më shumë, duke garantuar blerjen e prodhimeve të fermerëve, duke garantuar ruajtjen e cilësisë së këtyre produkteve dhe duke bërë uljen në maksimum humbjet e prodhimeve. Kjo për të shitur dhe eksportuar me çmime sa më të larta prodhimet ,që do të jenë në interes të fermerëve. Në këtë kompani duhet të vijnë të gjithë punonjësit e ministrisë së bujqësisë për të mësuar se si të punohet, se si mund të rritet imazhi i vendit përmes një besueshmërie që vjen vetëm nga puna dhe vizioni. Dua të tërheq vëmendjen për të punuar me këtë ritëm kudo, për ta kthyer këtë qendër në një shkollë për të gjithë, dhe sidomos për drejtorët e bujqësisë në të gjithë vendin. Ne kemi një tokë të jashtëzakonshme për prodhimin e bujqësisë dhe duhet ta shfrytëzojmë.” tha në fjalën e tij Meta

Nga ana e tij edhe Ministri Panariti u shpreh optimist për rritjen e mëtejshme të prodhimeve dhe produkteve shqiptare si një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare.