"Bujqësia", Vasili letër Ramës
Zgjidhje urgjente, situata nuk pret

Zgjidhje urgjente, situata nuk pret">
Muaji prill ka nisur me një debat mes dy partive qeverisëse, PS dhe LSI lidhur me sektorin e bujqësisë. I pari që e ka nisur këtë debat, ishte kreu i komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe i cili akuzoi Ministrinë e Bujqësisë të drejtuar nga LSI si të paaftë dhe shkaktare të disa problemeve të rëndësishme të fermerëve në Lushnjë. Një ditë më pas, Petrit Vasili ju drejtua me një letër kryeministrit Rama ku i kërkonte ndërhyrje emergjente në sektorin  bujqësisë, dhe i sugjeronte disa ndryshime në praktikën doganore të prodhimeve bujqësore. Por ankesat e Braçes u shtuan ditën e hënë, kur në mbledhjen e grupit parlamentar, ai paralajmëroi humbjen e miliona dollarëve në ekonominë shqiptare si pasojë e dëmeve që po pësojnë fermerët e Myzeqesë.

Edhe në këtë rast, një ditë më pas, kreu i grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili i është drejtuar  me një letër të dytë kryeministrit  Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj mbi problemet në sektorin e bujqësisë. Ndryshe nga Braçe që e sheh problemin tek efikasiteti i Ministrisë së Bujqësisë, Vasili e sheh problemin tjetër kund, pikërisht tek sistemi doganor i drejtuar nga një ministër socialist. Madje në hyrje të letrës së tij, Vasili thekson se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje dhe reagim pas letrës së tij të parë, duke e quajtur këtë fakt, një veprim jo korrekt  politikisht dhe etikisht.

“Më 31 mars 2016 ju kam drejtuar një letër ku specifikoja këto shqetësime dhe jam i keqardhur që nuk pata asnjë përgjigje apo veprim konkret, e besoj se kjo është politikisht dhe etikisht jokorrekte”-shkruan Vasili. Vërejtjeve të letrës së mëparshme, Vasili i ka shtuar edhe një shqetësim lidhur me doganat maqedonase. Në letrën drejtuar Kreut të qeverisë dhe ministrit të Financave kërkohet që të merren masa lidhur me qëndrimin e një anshëm e penalizues të doganës maqedonase ndaj prodhimeve bujqësore shqiptare. Sipas Vasilit, ministria e Financave duhet të ndërhyjë  dhe të pengojë këtë praktikë negative për fermerët shqiptarë  duke rrezikuar që të thellohet edhe më shumë në muajt në vijim kur  pritet një rritje e prodhimeve bujqësore në vend.

Vasili propozon ndërhyrjen me akt normativ të Qeverisë për të lejuar kryerjen e shit-blerjeve me para në dorë deri në 100 mijë lekë për fermerët në pikat e grumbullimit dhe agro-përpunimit. Sipas tij ka një vakuum ligjor në këtë pikë që duhet të korrigjohet me urgjencë. “Pjesa më e madhe e fermerëve nuk zotërojnë konto bankare dhe janë larg shërbimeve bankare, duke e parë veten padrejtësisht të përjashtuar nga e drejta e shitjes së prodhimeve.

Kërkohet zgjidhje urgjente, sepse po afrohet piku i prodhimit dhe pengesat në shitje do të çojnë në kalbje dhe dëmtime të prodhimeve në sera dhe arë dhe humbje të mëdha për fermerët. Ju propozojmë të vlerësohet nga ju që ky problem të rregullohet me akt normativ, e drejta për të kryer shit-blerje me para në dorë deri në 100.000 lekë për fermerët shqiptarë në pikat e grumbullimit dhe të agro-përpunimit”,-shprehet Vasili në letrën e tij. LSI propozon shërbim doganor 24 orësh, të paktën për ngarkesat bujqësore.

“I mbyllin shërbimet doganore në orën 20:00, ndërkohë që kamionët me prodhime bujqësore lëvizin përtej këtij orari. Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimit dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion. Kjo po penalizon prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë”,-thotë Vasili. Ai e mbyll letrën e tij duke kërkuar reagim të menjëhershëm, pasi e vlerëson gjendjen emergjente tashmë në prag sezoni të kultivimit bujqësor.
 
Shqetësimet
Maqedonasit

“Qëndrimi i njëanshëm e penalizues i doganave maqedonase, ka krijuar tonelata të tëra prodhimesh të kalbura, që dalin jashtë prodhimit duke dëmtuar rëndë fermerët dhe grumbulluesit e produkteve”.

Bankat
“Ju propozojmë të vlerësohet nga ju që ky problem të rregullohet me akt normativ, e drejta për të kryer shit-blerje me para në dorë deri në 100.000 lekë për fermerët shqiptarë në pikat e grumbullimit dhe të agro-përpunimit”.

Doganat
“I mbyllin shërbimet doganore në orën 20:00, ndërkohë që kamionët me prodhime bujqësore lëvizin përtej këtij orari. Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimit dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion.”
 
 
letra e vasilit


Redaksia Online
Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501