Bukuresht, Ponta garanton Ramën:
Rumania pro statusit të Shqipërisë

Bukuresht, Ponta garanton Ramën:<br />Rumania pro statusit të Shqipërisë
BUKURESHT-  Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Rumani prej ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Rumanisë, Viktor Ponta. Departamenti i informacionit pranë kryeministrisë informon se Rumania mbështet Shqipërinë për statusin dhe hapjen e negociatave. “Rumania përkrah fuqishëm Shqipërinë. Rumania mbështet Shqipërinë për statusin dhe hapjen e negociatave”- ka thënë Ponta, citon departamenti i informacionit pranë kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama i shprehu homologut Ponta falënderimin për mikpritjen e një takimi shumë të rëndësishëm, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si dhe për takimin mes tyre, ku u shkëmbyen pikëpamje mbi qeverisjen dhe rritjen e bashkëpunimit.

“Jam shumë i kënaqur që kam privilegjin të përfaqësoj Shqipërinë në këtë ditë të shënuar në rrugën e  progresit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Dhe, sigurisht, jam shumë i kënaqur që me këtë rast të jem këtu në krah të një miku të hershëm dhe të një shembulli frymëzues për mua në mirëqeverisjen e vendit. Unë e çmoj shumë këtë shembull që Kryeministri i Rumanisë jep duke treguar se jo vetëm është e mundur, por është plotësisht e mundur që kriza të përballet me sukses, jo në kurriz të shtresave më në vështirësi, por, përkundrazi, duke i lehtësuar ata që janë më në vështirësi dhe duke mundësuar rritjen ekonomike të vendit,” - u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri Ponta e uroi kryeministrin Rama për detyrën, duke shprehur bindjen se  mbështetjen e fuqishme popullore që siguroi në zgjedhje, qeveria do ta kthejë në një program të gjithanshëm zhvillimi për vendin.  

“Gëzohem shumë që mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, Rama fitoi bindshëm në vendin e tij. Njihemi prej shumë vitesh dhe të dy palët kemi kaluar në periudhën e vështirë të opozitës. Tani, duke qenë në krye të qeverive të dy vendeve, mbetet që të provojmë të gjithë aftësitë tona për të mirën e popujve tanë. Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht atyre ekonomike dhe shkëmbimi e eksperiencës në funksion të avancimit të procesit të integrimit ishin temat qendrore të bisedimeve", ka thënë Ponta.  

Duke vlerësuar Rumaninë si një shembull për ecurinë në procesin e integrimit evropian, kryeministri shqiptar u shpreh: “Ne kemi shumë çfarë të mësojmë nga rruga e Rumanisë drejt integrimit evropian dhe jam shumë i kënaqur që në qeverinë e z.Ponta kemi gjetur dyer të hapura për të marrë të gjithë eksperiencën dhe ekspertizën e nevojshme. Po ashtu, ka me siguri shumë për të bërë edhe në marrëdhëniet bilaterale. Ka me siguri shumë për të bërë për të rritur shkallën e bashkëpunimit ekonomik dhe sipërmarrja rumune ka me siguri, shumë hapësirë në dispozicion për të investuar në Shqipëri dhe për të bërë sukses në Shqipëri. Prandaj, edhe e kam ftuar Kryeministrin që të vizitojë Shqipërinë sa më parë, së bashku me një përfaqësi të sipërmarrjes rumune, për të parë nga afër hapësirat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe për të bërë të mundur që bashkëpunimi ekonomik mes të dy vendeve të rritet, në të mirë të rritjes së sipërmarrjes dhe të rritjes së mirëqenies."

Kryeministri Ponta siguroi për mbështetjen pa rezerva të qeverisë rumune për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe gatishmërinë për t’i dhënë impulse të reja bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Rumania përkrah dhe mbështet fuqishëm Shqipërinë në rrugën e saj evropiane dhe për hapjen e negociatave për marrjen e statusit kandidat. Në bazë të këtyre marrëdhënieve të reja të krijuara, ne mendojmë që të krijojmë marrëdhënie të tilla edhe në fushën e ekonomisë,” – u shpreh Kryeministri Ponta, duke nënvizuar se në respekt të ftesës së Kryeministrit Rama, bashkë me një grup biznesmenësh do të vizitojë Shqipërinë.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “e çmon jashtëzakonisht shumë edhe qëndrimin e kryeministrit dhe të qeverisë së tij lidhur me Kosovën. Njohja e Kosovës nga ana e Rumanisë do të jetë një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për rajonin. Ne presim me padurim, që kjo të ndodhë, me bindjen se do t’i shërbejë paqes dhe zhvillimit ekonomik e social të rajonit.”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit