Mozaiku i njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është transportuar pjesë-pjesë nga Muzeu Historik Kombëtar, ku ishte vendosur prej vitit 1981.
Transporti u realizua prej të njëjtit ekip specialistësh që e transferoi dhe e instaloi mozaikun e mirënjohur në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar.
“Durrësi është shtëpia e vet, në muzeun arkeologjik të Durrësit. Nisma është shumë e mirë. Ne do ta risjellim prapë në gjendjen siç qe në Muzeun Kombëtar”, thotë arkeologu Agron Islami.
Bukuroshja e Durrësit është zbuluar në Durrës në vitin 1916 nga arkeologu ushtarak austriak Camillo Praschniker dhe është mozaiku më i shquar i zbuluar në vendin tonë. Ai u gjet rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake në Luftën e Parë Botërore për hapjen e një transheje fortifikuese në qendër të Durrësit.
Ai është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë, duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurativ. Më pas mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet.
Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi e risolli në dritë mozaikun 2.300-vjeçar, në vitin 1959, pasi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë, Schober dhe Praschniker, në fillim të shekullit XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.
Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.
Komente











