TIRANË – Zgjatimi i bulevardit kryesor të Tiranës, do t’i kushtojë bashkisë së kryeqytetit të paktën 40 milion euro për të mos folur për parqet dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Ky fakt është pohuar nga kryebashkiaku Basha, i cili ka qenë I ftuar në emisionin “Opinion” nga Blendi Fevizu.
“Detyra e projektimit u ka dhënë arkitektëve një ide se brenda cilit marzh duhet të operojnë. Ne u kemi dhënë një marzh veprimi i cili nuk do të tejkalonte një shumë prej 30 deri 40 milionë euro vetëm për arterien e bulevardit bashkë me tranzicionin e lumit të Tiranës, pra kalimin, kryqëzimin, pjesën e bulevardit nga Stacioni i Trenit deri në bregun verior të lumit të Tiranës. Jo deri në Paskuqan. Pra, vetëm segmenti nga Stacioni i sotëm i trenit deri te kryqëzimi me lumin e Tiranës. Bulevardi së bashku me dy zonat e gjelbra apo parkun bashkë duhet të shkojë 36 deri në 40 milionë”, tha Basha.

Më tej kryebashkiaku ka sqaruar se 2 kompanitë fituese të shpallura në balotazh, kanë pranuar që në momentin e përzgjedhjes së më të mirës të bëjnë një maket integral me elementë të përbashkët edhe me 5 projektet e tjera të cilat u paraqitën këto ditë në konkursin ndërkombëtar.

(aq/shqiptarja.com )