Protesta të reja janë zhvilluar në Bullgari kundër qeverisë, e akuzuar nga protestuesit për korrupsion dhe lidhje me struktura mafioze. Në sheshin “Pavarësia” të kryeqytetit Sofje, ku ndodhen godinat e parlamentit, qeverisë dhe presidencës, i ashtuquajturi “trekëndëshi i pushtetit” edhe në orët e vona të mbrëmjes u mblodh një turmë prej mbi 50 mijë vetash për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë.

“Qeveria e mafies ka marrë fund!”, “Pika që derdhi gotën”, “Këtë herë nuk na mashtrojnë” lexohej në pankartat e protestuesve. Studentët universitarë që u bashkuan në protestë me një marshim nga Universiteti i kryeqytetit brohorisnin: “Jemi kundër arrogancës së qeveritarëve”, “Duam një të ardhme të denjë, duam të qëndrojmë në Bullgari!”. Protesta popullore pati edhe në qytete të tjera të mëdha si Plovdiv (në jug), Varna dhe Burgas (dy qytete në Detin e Zi).

Njerëzit brohorisnin slogane për dorëheqjen e qeverisë, por edhe kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve dhe inflacionit, në prag të hyrjes së Bullgarisë në zonën euro më 1 janar. Protestat e sotme u zhvilluan nën sloganin “Dorëheqje, Peevski dhe Borissov jashtë pushtetit!”.

Ekzekutivi i Sofjes i drejtuar nga Rossen Zhelyazkov, përfaqësues i partisë konservatore GERB, është një koalicion i përbërë nga GERB, fituesi i zgjedhjeve të fundit, socialistët (BSP) dhe partia populiste “Ka një popull të tillë” (ITN). Ai nuk ka shumicë parlamentare, por mbështetet pa kushte nga partia “Lëvizja për të Drejta dhe Liri – Fillim i Ri” (DPS-NN), një nga dy partitë e pakicës turke në parlament, ajo e Delian Peevskit, figurë qendrore dhe kontroverse e politikës bullgare, i akuzuar prej vitesh si simbol i korrupsionit kombëtar.

Lideri historik i GERB-it është Boyko Borissov, ish-kryeministër i akuzuar nga bullgarët për abuzim me pushtetin dhe nepotizëm, i cili sot deklaroi se qeveria aktuale është formuar ekskluzivisht për të futur Bullgarinë në zonën euro duke nisur nga 1 janari i ardhshëm. “Vetëm pas 1 janarit mund të flasim për riformatime, dorëheqje dhe çdo gjë tjetër”, u tha Borissov gazetarëve.

Nesër deputetët pritet të votojnë një mocion mosbesimi kundër qeverisë së Zhelyazkov, të paraqitur nga partia liberale “Vazhdojmë Ndryshimin” (PP), forca kryesore e opozitës. Liberalët akuzojnë ekzekutivin për dështim në politikën ekonomike të vendit.

Ansa